Zbardhet marrëveshja mes Qeverisë shqiptare dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC “Për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve” dhe “Për ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 123/2013”, të datës 28 prill 2015.
Sipas marrëveshjes së re, tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë nën ose të barabartë me 1 000 euro, do të jetë 5 euro për deklaratë doganore ose vlera përkatëse në lekë, konvertuar sipas procedurave doganore.
Tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë më të madhe se 1 000 euro, do të jetë 22 euro për deklaratë doganore ose vlera përkatëse në lekë, konvertuar sipas procedurave doganore.
Marrëveshja parashikon që shërbimi i skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH me shkallë tatimore 0 (zero).
Gjithashtu parashikohet që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Neni 2 i ligjit nr. 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Rapiscan Security, INC.”, si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit” shfuqizohet.
Kjo marrëveshja hyn në fuqi dy javë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, cka do të thotë se ajo nis të zbatohet më 26 gusht.
Në bazë të aneksit sqarues të saj, jo më vonë se dy javë pas datës së hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje për Zgjidhjen me Mirëkuptim të Mosmarrëveshjeve, Palët do të njoftojnë Gjykatën që shqyrton Arbitrazhin që procedimet janë ndërprerë dhe do të kërkojnë një urdhër për shpenzimet, në përputhje me nenin 6/c më poshtë:
Paditësit do të përballojnë shpenzimet për Gjykatën dhe ICC-në. Të gjitha shpenzimet e tjera të Arbitrazhit, duke përfshirë kostot e përfaqësimit ligjor do të mbulohen nga Pala, e cila i ka shkaktuar ato;
Kohëzgjatja e kësaj Marrëveshjeje do të fillojë në Datën e Fillimit të Operacioneve dhe do të përfundojë në përvjetorin e 15 të Konfirmimit të Instalimit ose të Afatit të Instalimit, cilido ndodh më herët, përveç kur Marrëveshja është rinovuar ose zgjatur me marrëveshje të ndërsjellë me shkrim midis Palëve.”