Nga objektivi Julian Draxler te ëndrra Isco, 2 javët e fundit të merkatos pritet të jenë shumë të nxehta për Juventusin. Kampionët e Italisë synojnë të kompletojnë skuadrën në prag të sezonit të ri dhe përvec një mesfushori fantazist bardhezinjtë dëshirojnë të blejnë edhe një mbrojtës krahu. Objektivi i parë në merkato vazhdon të mbetet talenti gjerman i Schalkes, Julian Draxler edhe pse gjermanët nuk kanë ndërmend të ulin kërkesat e tyre financiare. Në orët e ardhshme drejtori i përgjithshëm i Juventusit dhe njeriu që merret nga afër me merkaton Beppe Marotta pritet t’u paraqesë një ofertë përfundimtare drejtuesve të Bluve Mbretërorë për të bërë të mundur transferimin e 21-vjecarit në Torino.
Oferta e Juventusit për Draxler do të jetë prej 18 milionë Eurosh plus 9 milionë të tjera në formë bonusesh, por vështirë se Schalke 04 do të pranojë pasi gjermanët e vlerësojnë futbollistin të paktën 30 milionë Euro. Nëse nuk firmosin dot me Draxler-in kampionët e Italisë do të hidhen në sulm për Erik Lamelan e Tottenhamit edhe pse ëndrra e vërtetë është Isco. Me kalimin e Kovacic te Reali i Madridit rriten shanset e Juves për të firmosur me mesfushorin spanjoll, edhe pse fjalën e fundit do ta ketë futbollisti dhe trajneri i Los Blancos, Rafael Benitez. Reali e vlerëson rreth 40 milionë Euro, 23-vjecarin.
Një tjetër alternativë për mesfushën është edhe Hernanes i Interit, por pak gjasa ka që braziliani të largohet nga zikaltërit me destinacion të ri Juventusin. Për krahun e majtë të mbrojtjes objektivi kryesor vazhdon të mbetet braziliani i Portos, Alex Sandro. 24-vjecari ka edhe një vit kontratë me dragonjtë dhe dëshiron largimin nga Portugalia por për të interesohen edhe Reali i Madridit dhe Manchester City dhe kalimi i Alex Sandros në Torino konsiderohet shumë i vështirë.