Beteja kundër informalitetit, Klosi: Aksioni, edhe për të luftuar punën në të zezë

1 Shtator 2015, 16:00Sociale TEMA

Pjesë e betejës kundër informalitetit do të jetë dhe puna në të zezë. Këtë e ka bërë të ditur sot vetë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë aktivitetit “Beteja kundër informalitetit”, ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Në fjalë e tij, ministri Klosi theksoi se, pavarësisht arritjeve të deritanishme në luftimin e punës së zezë dhe futjes së punonjësve në skemën e sigurimeve shoqërore, është i nevojshëm një aksion i tillë, pasi mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim. “Jemi krejtësisht të bindur që kjo fushatë është e domosdoshme deri në momentin kur reformat institucionale e progresi teknologjik që po implementohet dhe ndërgjegjësimi publik, do të bëjnë të mundur koordinimin dhe bashkërendimin e të gjithë aktorëve në luftën kundër informalitetit”, – tha Klosi në fjalën e tij.

 

Më tej ai ka sjellë edhe shifra konkrete të rezultateve të inspektimeve të deritanishme, çka tregojnë nevojën për të vijuar me më shumë vendosmëri formalizimin e tregut të punës në përgjithësi. “Nga muaji tetor 2013 e deri tani, si rezultat i orientimit të planifikimit të subjekteve më në risk për informalitetin, si dhe nga regjistrimi fizik i zonave të inspektimit, na rezulton që 11 020 punonjës të padeklaruar dhe të paregjistruar në skemën e Sigurimeve Shoqërore janë konstatuar të punojnë në 25 008 subjekte, të cilat janë inspektuar apo verifikuar nga inspektorët e punës”, – tha Klosi. Më tej ai shpjegoi se nga këta, 7 788 punonjës të padeklaruar u konstatuan në 5 203 subjekte të paregjistruara, apo krejtësisht informale dhe 3 232 punëmarrës të padeklaruar dhe të pasiguruar, në 19 805 subjekte të licencuara apo të regjistruara, që iu nënshtruan inspektimit.

 

“Të gjitha këto masa, edhe pse kanë sjellë një përmirësim të situatës, nuk kanë qenë të mjaftueshme për zgjidhjen e saj dhe, si rrjedhojë, lind domosdoshmëria e fushatës kundër informalitetit”, – tha Klosi. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se institucioni i Inspektoratit të Punës ka hartuar një platformë të qartë dhe me pritshmëri të larta, e cila konstaton në përmirësimin e metodës inspektuese, duke realizuar formalizimin e çdo punëmarrësi informal të konstatuar gjatë procesit të inspektimit të subjektit. “Në këtë mënyrë i jepet fund burokracisë për delegime të rasteve për formalizim në institucione të tjera, si dhe siguron një punësim të rregullt, në zbatim të ligjit për të gjithë”, – u shpreh Klosi.

 

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër masë në këtë drejtim është edhe zhvillimi i hartës dixhitale të shpërndarjes së subjekteve në të gjithë territorin, duke i bërë kështu lehtësisht të evidentueshme subjektet që kanë pasur probleme me informalitetin. Po ashtu do të bëhet dhe një monitorim i vazhdueshëm i punës ndaj gjithë strukturës inspektuese, duke ofruar mbështetje për kryerjen në mënyrë sa më korrekte të detyrës. Për të pasur sukses në këtë betejë, Klosi ka kërkuar ndihmën e biznesit të konkurruar në mënyrë të pandershme, si dhe të organizatave të punëmarrësve të dëmtuar nga informaliteti.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje