Nisin regjistrimet, mësim me turne edhe për këtë vit shkollor

1 Shtator 2015, 14:50Sociale TEMA

 

Nertila Dosti

Edhe përgjatë këtij viti shkollor nxënësit që do të ndjekin arsimin 9-vjeçar ose të mesëm do të zhvillojnë mësimin me turne. Në një intervistë për Televizionin “Tema”, Drejtoresha e Arsimit Tiranë, Ajola Byzyka tha se mungesave e shkollave të reja do t`i detyrojë nxënësit të ndjekin mësimin edhe pasdite.

“Pikërisht për shkak të kërkesave për t`u arsimuar në qytetin e Tiranës dhe deri në momentin që flasim për numrin e institucioneve arsimore që ne kemi është po ai numër që ka ekzistuar, nuk janë ndërtuar shkolla të reja, mësimi me turne do të jetë edhe për këtë vit, pasi Tirana administron një numër shumë të madh nxënësish dhe fëmijësh që arsimohen” tha Byzyka.

Duke u ndalur te rregjistrimi i klasave të para, Drejtoresha tha se prindërit duhet t`i rregjistrojnë fëmijët në shkollat pranë vendbanimit të tyre dhe jo në shkollat që ata dëshirojnë.

“Është kërkesë e ligjit që rregjistrimi të bëhet pranë banesave në mënyrë që vërtet të merret shërbimi arsimor sipas standardeve kombëtare, ku pranë banesave të ketë një institucion arsimor, qoftë kjo çerdhe, kopsht apo shkollë. Për këtë arsye qytetarët janë informuar disa herë që rregjistrimet e fëmijëve në shkolla ose në kopshte do të bëhen në ato shkolla apo kopshte që atyre iu takon sipas rrugëve apo zonave të banimit për të shmangur mbipopullimin në disa shkolla. Për fat të keq këtu në Tiranë është krijuar një farë precedence për disa shkolla që janë më të preferuarat e qytetarëve, por ne kemi një tjetër synim për të ruajtur numrin e nxënësve në një klasë që është shumë më e rëndësishme se emri i shkollës. Ne po përpiqemi që në çdo klasë të mos ketë më shumë se 35 nxënës” është shprehur për “Tema TV” Drejtoresha e Arsimit.

Ajola Byzyka evidentoi nevojën për shkolla të reja në kryeqytet, pasi në disa shkolla ka kërkesa për shtimin e klasave të para për shkak të fluksit të madh të nxënësve. Gjithashtu Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit Tiranë liston disa nga shkollat që janë më te frekuentura dhe të mbipopulluara në kryeqytet.

“Shkollat e qendrës janë shkollat më të mbipopulluara. Në sistemin 9-vjeçar kemi shkollën “Edit Durham” që është shkolla më e mbipopulluar, atje vazhdojnë ende kërkesat për të hapur klasa të para, ndërkohë që ne e kemi të pamundur për shkak të infrastrukturës. Kemi shkollën “Emin Duraku” është shkolla “Fan Noli”, “Jeronim de Rada”, “Avni Rustemi” si dhe “Shkolla e Kuqe”, pra janë të gjitha shkollat e qendrës. Kurse arsimi i mesëm dihet, Shkolla “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” që janë shumë të kërkuara” pohoi Ajola Byzyka.

Sa i përket raportit të Inspektoriatit Shtetëror Shëndëtsor, që në disa shkolla mungojnë kushtet higjeno-sanitare, Znj.Byzyka tha se Bashkia ka nisur punën për rehabilitimin e tyre. Këtë të martë ka filluar faza e dytë e rregjistrimit në kopshte, në shkollat 9-vjeçare si dhe në gjimnaze. Rregjistrimet do të vijojnë deri në datën 14 shtator, por edhe në rastet kur ky afat ka kaluar, prindërit mund të paraqiten për të rregjistruar fëmijët pranë institucionit përkatës. Për rregjistrimin në klasën e parë nevojiten këto dokumente: certifikatë personale e fëmijës, një dokument që vërteton vaksinimin e fëmijës, raport nga mjeku okulist si dhe një vërtetim që fëmija është banor i lagjes përkatëse.

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje