Në gjashtëmujorin e parë të 2015 individët kanë zgjeruar totalin e investimeve në instrumente financiare, kryesisht depozita në sistemin bankar dhe instrumente të borxhit qeveritar.
Banka Shqipërisë, në fund të muajit qershor 2015, pohon se investimet e individëve në depozita dhe tituj të borxhit të qeverisë në total janë zgjeruar me 4.0% në terma vjetore, ku 1.2% vjen nga zgjerimi i investimeve në tituj të borxhit qeveritar dhe 2.8% nga depozitat në sistemin bankar.
Pjesëmarrja e individëve në letra me vlerë të qeverisë është zgjeruar me 11.5 miliardë lekë ose 9.7% në terma vjetorë.
Ndër to, preferenca e publikut shfaqet për obligacionet e qeverisë, të cilat ofrojnë edhe normën më të lartë të kthimit.
Këto janë zgjeruar me 10.6 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë, ose 21%. Nga ana tjetër, portofoli i bonove të thesarit që zotërohet nga individët u zgjerua lehtësisht me 1.4% në terma vjetorë, pas një periudhe në rënie.
Depozitat e individëve përfaqësojnë 86% të depozitave të sistemit. Gjatë periudhës, individët i zgjeruan depozitat me 0.9%, ndërsa bizneset i ngushtuan lehtësisht me 0.6%. Gjithsesi, norma vjetore e zgjerimit të depozitave të biznesit vijon të mbetet e lartë me rreth 8.5%./ Monitor