Sulmet terroriste të Parisit krijuan një situatë të pazakontë në mbarë kontinentin europian ku futbolli rrezikoi të përgjakej nga sulmet terroriste të ndodhura vetëm pak metra larg “Stade De France”. Gjithsesi, ishte po futbolli që largoi hijet e frikës falë magjisë që dhuron kjo lojë. Njerëzit sfiduan frikën dhe mbushën stadiumet për të sfiduar mendjet e çmendura. Kështu ndodhi edhe në “Santiago Bernabeu” ku 80 mijë të pranishëm ishin dëshmitare të një “masakre” në kuptimin futbollistik që Barcelona i bëri Realit të Madridit, duke i dhënë pikërisht grushtin më të rëndë të sezonit skuadrës së Benitez. Ishte pikërisht Reali që shpresonte të largonte zërat e krizës nëpërmjet një suksesi të mundshëm në El Clasico, por Barcelona bëri atë që di të bëjë më mirë, luajti një 90 minutësh spektakolar, ndoshta më të mirin e sezonit për të triumfuar me poker golash ndaj rivalëve të përjetshëm. Një fitore në shumë dimensione kjo për katalanasit që përveç shkëputjes me 6 pikë në klasifikim, vendosën edhe gishtin në plagën e hapur të madrilenëve. Mediat po e përshkruajnë si kaotike situatën në dhomat e zhveshjes ku Cristiano Ronaldo mund të jetë rebeluar ndaj trajnerit Rafael Benitez, ndërsa populli merengues kërkon njëzëri largimin e presidentit Florentino Perez.
E parë në këndvështrimin afatgjatë, kjo disfatë bëhet edhe më e hidhur nëse llogaritet fakti që Reali i Madridit nuk prodhoi lojë dhe yjet milionerë u rrëzuan njëri pas tjetrit në një mbrëmje të mallkuar. Cristiano Ronaldo ishte kopja e tij më e shëmtuar, ndërsa mbrojtja u turpërua nga miqtë që dolën fitimtarë në çdo skemë të provuar gjatë seancave stërvitore. Luis Suarez dhe Neymar u treguan të pamëshirshëm edhe pse në pjesën më të madhe të ndeshjes nuk kishin në krah një si Lionel Messi. Dyshja e sulmit të Luis Enriques ndezi shpesh herë shkëndija në mbrojtjen madrilene dhe ndoshta ky është një sinjal shqetësues edhe për vetë argjentinasin që pa nga stoli valsin e brazilianit dhe uruguaianit. Një ndeshje që brenda 90 minutave pati vetëm një fytyrë dhe një humbës të madh, Realin e Madridit që tashmë e shikon veten në vendin e tretë pasi Atletico Madrid është kthyer në vendin e dytë pas suksesit të arritur në fushën e Real Betis me gol të Koke në minutën e 8. Në sfidat e tjera, Valencia tregoi sërish shenja dobësie pasi u ndal nga Las Palmas në një barazim 1-1 dhe po të njëjtën gjë bëri edhe Villarreal ndaj Eibarit.
Nga El Clasico në një klasike tjetër, atë të futbiollit italian ku Juventusi dhe Milani zbritën në fushë të shtunën në mbrëmje për të konsumuar aktin e parë të këtij sezoni. Ishin bardhezinjtë që u shfaqën më të qartë në fushë dhe si pasojë skuadra e Allegrit u shpërblye me një gol që erdhi nga këmbët e lojtarit më të talentuar të grupit bardhezi, Paulo Dybala. Kampionët nuk treguan luahatje duke e kontrolluar sfidën që u duk më tepër e ngjashme me një lojë shahu. 3 fitore rresht për bardhezinjtë që kapin sërish trenin e titullit edhe pse rruga mbetet e gjatë. Gjithsesi, kjo është një fitore që bie si një këmbanë alarmi për kundërshtarët të cilët nuk po i llogarisnin torinezët deri në këtë pikë të sezonit. Në krahun tjetër, Milani futet sërish në një rrugë qorre pasi disfata në “Juventus Stadium” mbi të gjitha heq besimin te grupi i bindur se kishte mjetet e duhura për të kërkuar minimalisht zonën Champions. Në krahun tjetër të Milanos situata ndryshon radikalisht. Interi sigloi pokerin e golave ndaj Frosinones për të marrë i vetëm kryesimin e renditjes së përgjithshme. Përballë një kundërshtari modest, zikaltërit e Mancinit u treguan të pamëshirshëm dhe plot dëshirë për të marrë një fitore që konfirmon formën optimale. Për momentin, rezultatet i japin të drejtë Mancinit që arriti të ringrinte një grup që prej vitesh notonte në ujëra të turbullta. E ngjashme duket situata edhe në Napoli ku Sarri ka gjetur formulën e suksesit. Me 2 pikë më pak se zikaltërit, Napoli hedh kandidaturën në garën për titullin. Fitorja 2-0 në Verona është tregues i pjekurisë së këtij grupi që ka si vlerë të shtuar edhe mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj i cili po kthehet në një pikë referimi në krahun e djathtë të mbrojtjes. Një tjetër ekip në vallen e titullit është edhe Roma që u ndal nga Bologna në një barazim 2-2 edhe pse ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe për të besuarit e Garcias nëse shiu do t’i lejonte të luanin në një fushë ideale, ndërsa Lazio ka hyrë në një krizë të thellë sepse pas 3 humbjeve rresht Palermo arriti të rrëmbente një pikë në “Olimpico” ku tentoi madje edhe fitoren. Zhgënjyese edhe ndeshja e Fiorentinës që barazoi 2-2 në derbin e Toskanës kundër Empolit.
Në Gjermani u përsërit skenari i këtij fillim sezoni ku Bayerni e çoi në +8 diferencën me Borussian e Dortmundit që u thye 3-1 në transfertën e Hamburgut. Kampionët në fuqi numërojnë 37 pikë pas 13 javëve të para, një rekord më vete ky që reflekton qartë formën që po kalon ekipi i Guardiolas. Në Genselkirchen Bayerni tregoi forcë karakteri me një fitore 3-1 ndaj rivalëve të Schalkes, të cilët iu dorëzuan fatit duke pranuar një disfatë të hidhur edhe pse arritën ta mbyllnin pjesën e parë në barazim. Alaba, Martinez dhe i përhershmi Muller nuk lanë asnjë rrugë shpëtimi për Blutë Mbretërorë që brenda dy javëve rrëzohen nga zona Champions në vendin e shtatë të klasifikimit. Fitore të rëndësishme regjistruan edhe Borussia Mounchengladbach, Bayer Leverkusen e Wolfsburg që dalëngadalë po konfirmohen si forca reale të kampionatit.
Franca zgjodhi të mos e bllokonte këtë javë duke zgjedhur të hedhe në fushë çdo kategori futbolli dhe Paris Saint Germain bëri detyrën në një sfidë të vështirë në transfertën e Lorient. Parizienët e tronditur nga sulmet në qytetin e tyre dhanë përgjigjen e duhur në fushë. Skuadra e Blanc triumfoi 2-1 duke konsoliduar pozitat në krye të klasifikimit me 38 pikë, plot 13 më shumë se Lyon që u mund 3-0 nga Nice.
Në Holandë, ishte Ajax që diktoi ritmin me një fitore 5-1 ndaj modestëve të Cambuur, ndërsa Feynoord shënoi po kaq gola në portën e Twentes për t’u ngjitur në vendin e dytë me 3 pikë më pak se harkëtarët. Zhgënjimin më të madh e dhuroi PSV Eindhoven që nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në fushën e Willem II./ SS
Gazatar injorant. Fjala klasiket nuk mund te perdoret ne shqip per te tilla ndeshje.
El Clasico, eshte nje term qe I referohet vetem ndeshjes Real – Barca.
Kshu qe mos ja fusni kot