Objektivi i atentatit që tronditi Elbasanit ditën e sotme dyshohet se ishte Bledar Muça, një person jo i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Dyshimet janë pasi atentatorët qëlluan ndaj makinës “Volksëagen”, e cila drejtohej prej tij dhe është nën pronësi të tij.
Muça është akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi, e ndodhur me 30 dhjetor të vitit 2012.
Ai ishte në Londër dhe iu drejtua mediave dhe Policisë me një letër të gjatë për alibinë e tij, raporton Panorama.
Ai madje premtoi se do kthehej të provonte pafajësinë.
Në 2013 Muça u kthye me alibi se nuk gjendej në Shqipëri kur ndodhi vrasja. Policia më pas i hodhi poshtë akuzat ndaj tij.
Po kështu, Bledar Muça ishte ndër të plagosurit e Masakrës së Elbasanit, që iu bë fisit Çapja, ku tre prej anëtarëve të tyre mbetën të vrarë.
Atentati
Ngjarja në Elbasan duket se është një atentat ndaj të njohurit Florenc Çapja.
Burime nga vendngjarja raportojnë se është qëlluar me automatik nga dy automjete, njëri Volksëagen dhe një Ford.
Krismat kanë kërcitur në mes të ditës, në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, pranë Gjykatës dhe Prokurorisë.
Automjetet janë larguar në drejtime të ndryshme dhe janë braktisur nga atentatorët.
Ekspertët e policisë po kërkojnë gjurmë në makinat e braktisura, ndërsa është gjetur edhe një armë tip “Kallashnikov”.
Një person ka marrë një plagë në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa një punonjëse e policisë që po kalonte rastësisht ka marrë një plumb në gjoks.
Objektivi dyshohet se ka qenë Florenc Çapja, ndërsa i plagosuri është shoku i tij, Bledar Muça. Kjo ka hedhur dyshimet se atentati është në vazhdën e një serie ngjarjesh kriminale që kanë tronditur Elbasanin dhe që e kanë zanafillën në konfliktin mes fiseve Çapja dhe Mema.
Florenc Çapja u akuzua katër vite më parë për vrasjen e biznesmenit, Gentian Beqiri.
Gentian Beqiri e ndodhej në arrest shtëpie dhe ruhej me punonjës policie, kur u vra së bashku me babain e tij 78 vjeçar.
Beqiri ishte i akuzuar më parë për vrasjen e Sokol Çapjes, i ekzekutuar në Elbasan me 30 plumba, në vitin 2005.
Katër muaj më parë, Florenc Çapja mbeti i plagosur në një atentat ku u vranë 3 persona të tjerë.
Historia e konfliktit
Një sherr banal ndërmjet dy të rinjve, Sokol Çapja dhe Dritan Sheme ishte zanafilla e hasmërisë mes dy fiseve në Elbasan.
U duk sikur fiset u pajtuan, por Sokol Çapja u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit të vitit 2005, kur ishte nën shoqërinë e dy vajzave, në lokal “Aquario”, pranë Universitetit të Elbasanit.
Tre persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë në lokal dhe kanë qëlluar disa herë me pistoleta dhe me automatik “Skorpion” në drejtim të 33-vjeçarit. Më parë, ata i kanë kërkuar klientëve dhe kamerierëve që të shtrihen për tokë dhe më pas kanë nisur të qëllojnë në drejtim të biznesmenit. Sokol Çapja u dërgua në spital dhe vdiq gjatë operacionit.
Një nga të akuzuarit, Ardian Meta, u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi. Ai u vra në gjumë në vitin 2012, ndërsa ndodhej prej më shumë se dy vitesh në arrest shtëpie.
Një muaj pas vrasjes së Sokol Çapjes, oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, daja i Dritan Shemes, u plagos me armë në këmbë nga një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Ai u ekzekutua në një atentat të dytë në Itali, pranë banesës.
Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapes, Florenc Çapja. Por Prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës.
Po në vitin 2006 u ekzekutua në një fast-food Ardian Ibrahimi, kunati i Fadil Memës.
Policia arrestoi Saimir Bakon, i dyshuar si vrasës me pagesë. Ai u dënua me 20 vite burg.
Sërish në vitin 2006, në Tiranë ekzekutohet Dritan Sheme. Autorët arritën të gjejnë vendndodhjen e tij nëpërmjet së dashurës.
Mbrëmjen e 3 shkurtit të këtij viti, mbi fisin Çapja u derdhën breshëri automatiku.
Katër persona të armatosur, të veshur me uniforma policie, janë afruar në një lokal ku ishin mbledhur familjarët dhe kanë lëshuar breshëri automatiku.
Janë qëlluar për vdekje Agron Çapja, 50 vjeç, pronar i kompjeksit “Univers”, Eno Bedalli, 38 vjeç dhe Ardit Sinakolli, 27 vjeç. Të tre ishin banorë të Elbasanit.
Të plagosur nga armët e zjarrit kanë mbetur Ardian Zharri, 45 vjeç, Fejzulla Çapja, 58 vjeç, Ferit Muça, 42 vjeç, Luan Muca, 47 vjeç, Florenc Çapja, 35 vjeç Arnold Çapja, 23 vjeç, Erdis Sulku, 33 vjeç, të gjithë banues në Elbasan dhe Bujar Rreshka, 40 vjeç banues në Librazhd.