Në seancën e sotme parlamentare pritet të diskutohet paketa Kushtetuese e draftit të reformës në sistemin e drejtësisë. Për miratimin e saj duhen 94 vota, teksa opozita deri më tani e kundërshton këtë paketë. Në pikëpyetje mbetet vota e kryetarëve të partive të vogla, nëse reforma do të hidhet në votim, megjithëse për këtë nuk ka ende një konfirmim zyrtar.
Mazhoranca i bëri apel të vazhdueshëm opozitës që të miratojë këtë reformë pa humbur kohë. Dështimi i negociatave mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës gjatë takimit të ditës së hënë, bëri që mazhoranca të mos mendohet dy herë dhe të dërgojë për miratim paketën me ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër, opozita ka paralajmëruar se çdo draft pa konsensus në Kuvend, është i destinuar të rrëzohet.
Të njëjtit apel i janë bashkangjitur edhe Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e Bashkimit Evropian një ditë më parë, të cilët kërkuan votimin e reformës në drejtësi në Kuvend, ndërsa akuzuan opozitën se nuk ka treguar fleksibilitet gjatë negociatave Rama-Basha .