Shansi deri në minutën e fundit për opozitën, Rama-Meta tjetër takim për "Drejtësinë"

15 Qershor 2016, 11:30Politika TEMA

Mëngjesin e djeshëm kreu i Kuvendit Ilir Meta shkoi në kryeministri për një takim me Edi Ramën, ndërsa këtë të mërkurë, kreu i qeverisë i ka kthyer “vizitën” aleatit të tij në qeverisje, duke mbërritur herët në mëngjes në zyrën e Metës në kryesinë e Kuvendit.

Takimet intensive që po mbahen mes tyre së fundi kanë të bëjnë me një nga proceset më të rëndësishme reformuese që pritet të ndërmarrë politika shqiptare, ajo në sistemin e drejtësisë.

Gjatë ditës së djeshme komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi mbylli punën e tij duke miratuar vetëm me votat e mazhorancës draftin për ndryshimet kushtetuese, nen për nen dhe në parim. Opozita braktisi sallën për shkak se këmbëngul të mos lëshojë pe për vendet e rezervuara, megjithatë kryetari i Komisionit – deputeti socialist Fatmir Xhafaj – tha se në draftin e dakordësuar mes palëve në masën 99 % është lënë edhe një shteg për të negociuar e për të gjetur kompromisin e plotë.

Edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta tha në një konferencë për mediat gjatë ditës së djeshme se forca politike që ai drejton do të votojë çdo kompromis PD-PS. Ai foli për mundësinë e referendumit, vetëm nëse demokratët nxjerrin kërkesa të tjera pasi të arrijnë kompromisin.

Takimet mes liderëve politikë, përfshirë me kryedemokratin Lulzim Basha, kanë qenë me dyer të mbyllura, dhe opinioni publik është mjaftuar vetëm me deklaratat për mediat që ka pasur pas tryezave për reformën në drejtësi. Ajo që palët kanë deklaruar hapur është se mazhoranca nuk do të tolerojë shumicën e cilësuar për dy institucione të rëndësishme që pritet të ngrihen nga kjo reformë dhe që do të bëjnë “radio-grafinë” e pasurisë dhe profesionalitetit në të shkuarën të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa PD nuk tërhiqet nga ato që ajo i quan “vende të rezervuara”.

1 komente në “Shansi deri në minutën e fundit për opozitën, Rama-Meta tjetër takim për “Drejtësinë””

  1. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Reforma ne drejtesi ,ka nevoj, jo vetem per konsensusin e opozites,por dhe per qendrimin e pa lekundur te liderve,per mbeshtetjen e saj !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje