U zhvillua në mjediset e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit (ASNI) ceremonia e kremtimit të 85–vjetorit të krijimit të kësaj strukture mjaft të rëndësishme të Forcave të Armatosura.
I pranishëm në këtë ceremoni, zëvëndësministri i Mbrojtjes u shpreh se sot është një ditë e rëndësishme për historinë e FA-së dhe për historinë e shtetit shqiptar.
“Krijimi i shërbimit apo armës së ndërlidhjes 85 vite më parë përbën një moment të rëndësishëm në një nga shërbimet me rëndësi të veçantë në funksionimin, por në radhë të parë për komandimin e strukturave ushtarake të Forcave tona të Armatosura”, theksoi z. Koçi.
Gjithashtu zëvëndësministri Koçi shprehu vlerësimet maksimale për të gjithë ata që kanë kontribuuar në mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij shërbimi. Në fund të fjalës së tij, z. Koçi theksoi: “Ne po përpiqemi që me këto standarde të jemi në lartësinë e kërkesave që ka NATO, në mënyrë që anëtarësimi ynë në këtë organizatë të rëndësishme politike dhe ushtarake të jetë një kontribut i denjë, ashtu siç është vlerësuar dhe është dëshmuar deri më sot”.
Në përfundim të pranishmit vizituan pajisjet me të cilat ky shërbim ka punuar ndër vite si dhe panë nga afër mjetet dhe sistemet më të reja që kjo strukturë ka në përdorim.
ASNI planifikon, zhvillon, instalon dhe siguron pajisjet e sistemet kompjuterike dhe të komunikimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ajo siguron përputhshmëri me sistemet e automatizuara të komandimit, kontrollit, komunikimeve dhe ato kompjuterike të NATO-s.
ASNI menaxhon, dhe garanton sigurinë e sistemeve të automatizuara të informacionit të FARSH. Trajnon personelin e nevojshëm që kërkohet për të përdorur dhe mirëmbajtur sistemet e automatizuara dhe të ndërlidhjes të FARSH.