"Drejtësia", Majko: Ja kush do t'i verifikojë gjyqtarët shqiptarë. Bylykbashi: Procesi mbyllet shpejt

17 Gusht 2016, 15:03Politika TEMA

Reforma drejtësi dhe miratimi i shtatë ligjeve të saj, që do të garantojnë implementimin e reformës në drejtësi duket se do të përfundojë shumë shpejt.

Në përfundim të mbledhjes së sotme të komisionit për reformën në drejtësi, deputeti socialist Pandeli Majko tha se diskutimet u mbështetën mbi zbatimin e dispozitave të ndryshuara kushtetuese.

“Mendoj se kemi kaluar në një fazë ku më shumë se sa diskutimi i konsensusit, jemi duke diskutuar zbatimin e dispozitave të reja kushtetuese.

Sot dëgjuam komentet e përfaqësuesit të BE dhe të OPDAT. E thashë këtë jo në gjuhën e ekspertizës, pasi përfaqësuesi i BE, Euralius-it deklaroi se të gjitha opinionet që ai shprehu për vërejtjet që kanë shprehur kolegët e opozitës, ishin qëndrime të komisionit Europian.

Ne kërkuam që këto tani të diskutohen me ekspertët dhe ata të na sjellin një material të përmbledhur të atyre që u ra dakord dhe atyre që nuk u ra dakord”,- tha ai

I pyetur për rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Majko u përgjigj se do të jetë po ai rol i shkruar në aneksin kushtetues. “Është një rol që përcaktohet qartë në aneksin kushtetues dhe ne nuk do i lëvizim asnjë presje”, tha deputeti socialist.

Sa i takon procesit të verifikimit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, në kuadër të vettingut, Majko tha se ky proces do të bazohet në opinionin e Komisionit Europian dhe atë do ta kryejnë institucione që kanë një eksperiencë kushtetuese, që në këtë rast është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Ndërsa përfaqësuesi i djathtë, Oerd Bylykbashi deklaroi në fund të mbledhjes se: “U prezantuan komentet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe do të ulen këto ditë ekspertët për të integruar dhe për të gjetur versionin përfundimtar të hartimeve.

Është proces hartimi legjislativ, besoj që do mbyllet shpejt”.

1 komente në ““Drejtësia”, Majko: Ja kush do t’i verifikojë gjyqtarët shqiptarë. Bylykbashi: Procesi mbyllet shpejt”

  1. Petro says:

    Do ta mbyllin per te shpetuar veten, te dy palet.Aaaah se harrova, te tre palet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje