Bayerni i mbron lojtarët e vet. Rasti i fundit është ai i francezit Franck Ribery, i cili ka marrë mbështetjen e kryetarit të bordit mbikëqyrës të klubit bavarez, Karl-Heinz Rummenigge. “Franck është një djalë i dashur dhe i pëlqyeshëm. Ndaj Jenës (në Kupën e Gjermanisë) ai ishte serioz dhe u soll në mënyrë korrekte. Ai luajti shumë mirë dhe ndershëm”, – u shpreh numri 2 i rekordmenëve për gazetën “TZ“. Rummenigge shtoi se “lojtarët si Ribery janë të shkathët dhe të shpejtë, ata shpesh sulmohen me lojë jo të ndershme nga rivalët”. Gjithsesi, drejtuesi bavarez i dha një këshillë mesfushorit. “Është e rëndësishme që ai të mos provokohet. I sugjeroj të jetë shumë i qetë.”
Në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë kundër Dortmundit, Ribery e humbi kontrollin e nervave në një duel me kundërshtarin Felix Passlack, të cilin e goditi me bërryl. Ai u tregua i ashpër dhe në turin e zhvilluar në SHBA, veprim që nxiti trajnerin Carlo Ancelotti ta largonte nga fusha. “Kam folur me të. Besoj se ai e ka kuptuar mirë se këto sjellje duhen mënjanuar”, – u shpreh tekniku italian. Edhe kapiteni Philipp Lahm e ka këshilluar shokun e tij të skuadrës të shmangë çdo lloj episodi të pakënaqshëm në fushë.