Njihuni me 10 transferimet më fitimprurëse në historinë e futbollit

2 Shtator 2016, 20:30Sport TEMA

Kjo verë ka vendosur një rekord të ri, sa i takon lojtarit (transferimit) më të shtrenjtë në historinë e futbollit botëror. Kalimi i francezit Paul Pogba nga Juventusi te Manchester United theu “mbretërimin” e uellsianit Gareth Bale.

Ky i fundit la Tottenham për Real Madridin, në këmbim të plot 101 milionë eurove, që përfunduan në arkën e klubit londinez. Kjo shifër tejkaloi të gjitha të tjerat, më parë, të shpenzuara për blerjen e një futbollisti.

Në verën e vitit 2016, 120 milionë eurot, që Jose Mourinho nuk i kurseu për të rikthyer në “Old Trafford” Paul Pogba, janë rekordi i ri në këtë drejtim.

Spanjollja “As” ka hartuar listën e 10 transferimeve më fitimprurëse (rentabël ekonomikisht) të historisë së futbollit.

“Ata nënshkruan për një çmim të arsyeshëm dhe më pas janë shitur për një shumë astronomike: Bale, Cristiano Ronaldo, Figo, Stones…,” – shkruan kjo e përditshme iberike, e cila përmes një foto-viedo montazhi na njeh me yjet, që në një moment të karrierës së tyre janë kthyer në “miniera ari” kur janë shitur. Çuditërisht, në këtë listë mungon Paul Pogba, i cili mbërriti te Juventusi për më pak se 1 milionë euro, ndërkohë që u shit te ish-klubi i tij i rinisë, Manchester United, për 120 milionë euro. Ndoshta ky rast nuk është përfshirë në top-10 transferimet më fitimprurëse, meqë kemi të bëjmë me një “cikël të mbyllur” të francezit, pra rikthim te “djajtë e kuq”, edhe pse shifrat janë tejet astronomike dhe duhej të ishte i pari në listën e mëposhtme.

1. Gareth Bale u ble për 14.7 milionë euro nga Tottenham, por u shit për 101 milionë euro te Real Madrid. Fitimi: 86.3 milionë euro

2. Cristiano Ronaldo u ble nga Manchester United (te Sporting Lisbona) për 17.5 milionë euro, por u shit te “Los Blancos” për 94 milionë euro. Fitimi: 76.5 milionë euro

3. Zinedine Zidane u ble nga Juventusi për 3.5 milionë euro, por u shit te Real Madridi për 73.5 milionë euro. Fitimi: 70 milionë euro

4. Figo u ble nga Barcelona për 2.5 milionë euro dhe u shit te Real Madridi për 60 milionë euro. Fitimi: 57.5 milionë euro

5. Kaka u ble nga Milani për 8.25 milionë euro, por u shit te Real Madridi për 65 milionë euro. Fitimi: 56.75 milionë euro

6. Luis Suarez u ble nga Liverpool për 26.5 milionë euro dhe u shit te Barcelona për 81.72 milionë euro. Fitimi: 55.22 milionë euro

7. Edinson Cavani u ble nga Napoli për shumën e 12 milionë eurove dhe u shit te PSG-ja për 64.5 milionë euro. Fitimi: 52.5 milionë euro

8. Stones u ble nga Evertoni për 3.5 milionë euro dhe u shit te Manchester City, kësaj vere, për 55.6 milionë euro. Fitimi: 52.1 milionë euro

9. De Bruyne u ble nga Wolfsburgu për 22 milionë euro dhe u shit te Manchester City për 74 milionë euro. Fitimi: 52 milionë euro

10. Gonzalo Higuain erdhi te Napoli për shifrën e 39 milionë eurove, ndërsa kësaj vere u shit te Juventusi për një rekord në Seria A, plot 90 milionë euro. Fitimi: 51 milionë euro/ Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje