Deklaratë e përbashkët e kryetares së grupit të këshilltarëve bashkiak të PS, Klotilda Ferhati, dhe atij të LSI, Shezai Rrokaj
Shezai Rrokaj: Ne e ftojmë opozitën, kryetarin e saj, të vijë në zbardhjen e vendimit, bashkë me ju, ta shikojmë të zezë mbi të bardhë, që ky projekt (EcoTirana) absolutisht nuk parashikon dhe nuk mund të pranonim të parashikonte riciklim të mbetjeve në mes të Tiranës. Natyrisht, aty do të qëndrojnë, siç përdoret edhe për zona të tjera, vetëm makinat e pastrimit, të cilat do të merren vetëm me zonën e Don Boskos. Por, nuk do të ketë parkim në këtë zonë për të gjithë makinat që merren me pastrimin në Tiranë.
Kjo u përfshi edhe në vendim. Qëndrimi ynë ka qenë ky: Që të miratonim një draft i cili nuk parashikon riciklim apo grumbullim mbetjesh, që nuk shërben si parkim për tërë flotën e makinave që merren me pastrimin e Tiranës, por vetëm per ate zone, siç ndodh edhe në zonat e tjera me kompanitë private. Kjo është e gjitha dhe duhet të jemi të qartë me qytetarët në radhë të parë sepse problemi i opozitës është problemi i saj.
Klotilda Ferhati: Për të sqaruar qytetarët, më duhet të them se sot objekt vendimmarrje në Këshill Bashkiak nuk ka qenë asgjë që ka të bëjë me shërbimin e mbledhjes së mbeturinave. Objekt i vendimmarrjes nga ne si këshilltarë, që kemi mandat për të marrë këto vendime, ka qenë pikërisht nëse do ta jepnim apo jo në përdorim për shoqërinë “Eco Tirana” një ambient në pronësi të Bashkisë Tiranë, i cili të përdorej për zyra logjistike, për ofiçinë riparim mjetesh, për parkim të mjeteve të pastrimit dhe për ato makineri që përdoren për zonën, në funksion të aktivitetit të shoqërisë “Eco Tirana”, pjesë e të cilës në kapital është edhe Bashkia e Tiranës.
Nuk kemi transferuar në pronësi “Eco Tirana” asnjë pasuri të bashkisë së Tiranës, e kemi dhënë në përdorim, me qëllim që shoqëria të ushtrojë veprimtarinë e saj në një aset të cilin Bashkia e Tiranës deri dje nuk e përdorte, ishte në amortizim total dhe sot vihet në efiçencë për një shërbim më të mirë të pastrimit të qytetit.
Nuk do të ketë atje asnjë aktivitet për mbledhje dhe grumbullim mbeturinash. Asnjë aktivitet për riciklim apo për përpunim të mbeturinave. Por, duke qenë se këshilltarët e opozitës e kërkuan me ngulm, ne pranuam njëzëri që të shkruhej kjo shprehje në vendimin e Këshillit Bashkiak. Vetë kryetari i Këshillit të Bashkisë kërkoi që të zbardhej kjo në vendimin përkatës të këshillit.
Nuk është koncesion, por jemi përballë një partneriteti publik-publik mes Bashkisë së Tiranës me Bashkisë së Veronës. Të dyja bashkitë vënë në dispozicion njëra eksperiencën dhe mjetet financiare, tjetra shërbimin, në mënyrë që qytetarëve të Tiranës t’u jepet një shërbim më me cilësi.
Dua që të evitoj debatin e keqinterpretimeve dhe keqinformimit që bëjnë këshilltarët e opozitës. Situata e sotme ka qenë vërtet e patolerueshme. Ata u përpoqën disa herë të sabotojnë mbledhjen. Disa individë të opozitës kanë marrë peng Këshillin Bashkiak, jo vetëm këtë, por kanë marrë peng edhe të gjitha vendimet e mira që jemi duke marrë në gjithë këto muaj punë në këtë pozicion që kemi. Ne kemi një detyrë ndaj qytetarëve. Kemi marrë mandate jo për të fjetur gjumë, kemi marrë mandate për të punuar. Janë qytetarët ata që na gjykojnë. Të gjithë duhet ta dinë, mbledhjet e Këshillit Bashkiak janë mbledhje pune, nuk janë mbledhje shou politik. Ne na gjykojnë vendimet që marrim, rezultatet që japin ato dhe vota e qytetarit në fund i cili na voton nëse i pëlqejnë shërbimet tona dhe nuk na voton nëse nuk i pëlqejnë shërbimet tona.
Sot i është dhënë fjala 3-fish më shumë, si në çdo mbledhje tjetër, anëtarëve të opozitës dhe 1/3 e kohës është përdorur nga ne, nga anëtarët e mazhorancës dhe sërish personat që kanë bërë zhurmuesin, keqinterpretuesin janë nga opozita dhe na vjen keq vërtet për këtë.