Në pamje të parë, nga lart, Aleppo ka të njëjtën pamje që ka patur prej qindra vitesh, një mori ndërtesash betoni dhe guri përgjatë rrafshinave ngjyrë kafe të Sirisë. Por, e parë më nga afër, duket qartë se katër vjet luftë kanë rrënuar pjesën më të madhe të një prej qyteteve më të vjetër të botës.
Megjithatë, shkatërrimi duket se ka ndodhur vetëm në disa zona, të cilat supozohet se mbahen nga rebelët. Qyteti i vjetër qëndron thuajse i paprekur në qendër të një fotografie panoramike të shkrepur gjatë muajit shtator.
Zona perëndimore, e cila është ende nën kontrollin e regjimit, duket e paprekur nga lufta me shtëpi dhe ndërtesa të pashkatërruara. është pikërisht kjo pjesë, e cila shfrytëzohet edhe për videot e promovimit të turizmit nga qeveria siriane.
Aty duket se nuk mungon asgjë, që nga dyqanet dhe hotelet luksoze, e gjer te lokalet e natës, që me muzikën e lartë përpiqen të mbysin zhurmën e bombave dhe klithmave të pjesës tjetër të qytetit. I tillë është edhe “Freedom” (Liria), lokali i natës ku dëgjohet muzikë ‘live’ dhe kërcehet, thua se vendi nuk është në luftë dhe gjysma e qytetit nuk po shkatërrohet.