Shokon Pep Guardiola, paralajmëron fundin e tij si trajner

3 Janar 2017, 10:37Sport TEMA

Pep Guardiola i ka lënë shumë njerëz gojëhapur dje kur ka deklaruar se po mendonte t’i jepte fund karrierës si trajner.

Spanjolli mori para gjashtë muajsh drejtimin e Mançester Sitit, skuadër me të cilën po kalon momente jo fort të mira. Megjithatë, duket se vendimi i tij nuk ka të bëjë me klubin e tij aktual.

Tekniku që këtë janar bën 46 vjeç, ka folur për NBC-në, duke thënë mes të tjerash: “Do të jem te Mançesteri për tre sezonet e ardhshme, mbase më shumë, por po arrij në fund të karrierës sime trajnuese; për këtë jam i sigurt.”

Njeriu që bëri epokë te Barcelona, do të shtonte, “Nuk kam për të qenë në stol gjersa të jem 60 apo 65 vjeç. Ndjej se procesi i thënies mirupafshim ka nisur tashmë.”

Pasi ka sqaruar se Mançester Siti mund të jetë ekipi i fundit i drejtuar prej tij, Guardiola i është përgjigjur kështu pyetjes se pse mund të zgjedhë të tërhiqet: “Sepse unë vendos kështu!”

Me të në stol, Barcelona pati një prej periudhave të saj më të arta. Guardiola fitoi gjithçka me katalanasit, që nga kampionati spanjoll, Kupa e Mbretit, Superkupa e Spanjës, Kupa e Kampionëve, Superkupa e Europës dhe Kupa e Botës për Klube. Në Bundesligë, më tutje, me Bajernin e Mynihut, suksesi e ndoqi sërisht Guardiola-n, të cilit i mungoi te bavarezët vetëm fitimi i Champions League-s.

Te Mançester Siti, Guardiola pati një nisje mjaft të mirë, të shoqëruar më pas nga luhatje në lojë e rezultate. Ai ka kërkuar durim gjer në mbërritjen e sukseseve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje