Balla: PD po i shmanget reformës zgjedhore në Komision

23 Janar 2017, 18:08Politika TEMA

“Vërej me shqetësim faktin që Partia Demokratike po vazhdon të bojkotojë Komisionin e Reformës Zgjedhore”, tha sot Taulant Balla, kryetar i ketij komisioni.

“Jam këtu që t’i bëjmë një thirrje Partisë Demokratike, anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesve të saj dhe të opozitës, që t’i rikthehemi punës në komision sepse kemi mjaft çështje të tjera shumë të rëndësishme, në kuadër të rekomandimeve të raporteve të OSBE-ODHIR, që duhen adresuar. Ndër to, unë do doja të theksoja edhe njëherë rëndësinë që ka, që ne të përgatisim sa më shpejt ndryshimet në ligjin për partitë politike lidhur me transparencën e financave të partive, por edhe me transparencën e shpenzimeve të fushatave zgjedhore. Kemi një material shumë të mirë, përgatitur nga një ekspert i ofruar nga Këshilli i Europës sikur se është Quentin Reed, dokument i cili tashmë është një material pune në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Prej atij dokumenti, duhet të nisemi për të përgatitur amendamentet që duhen bërë në ligjin e partive politike.

Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të rikthehen në komision kolegët e Partisë Demokratike, në mënyrë që brenda kësaj jave komisioni të diskutojë ndryshimet që duhen bërë në Kodin Penal përsa i përket përshkallzimit, pra rritjes së dënimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin zgjedhor. Kështu që, unë besoj se Partia Demokratike e kupton që loja e bojkotit të Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk i vlen asnjë interesi, qoftë dhe interesave të ngushta të Partisë Demokratike, por duhet të jemi të gjithë sëbashku për të konkluduar për çështjet që unë përmenda më lart, sepse kanë të bëjnë me standardin e zgjedhjeve në Shqipëri”, deklaroi Balla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje