Avokati i pilotit Guidi nxjerr blof gazetën italiane: Klienti im s’ka folur me njeri

28 Janar 2017, 19:13Kronika TEMA

Avokati i pilotit të avionit të rrëzuar në Ishëm, Guido Guidi, ka hedhur poshtë shumë nga zërat që qarkullojnë për klientin e tij. Sot ka qarkulluar lajmi i gazetës italiane “Corriere della Sera” se piloti italian ka rrëfyer emra të implikuar me krimin, duke përfshirë edhe politikanë.

Por avokati Aleksandër Ndrejaj tha për News 24 se klienti i tij nuk ka folur për gazetën italiane. Ai tha se është me familjen e tij dhe do të kryejë një vizitë mjekësore në Milano. Ndrejaj konfirmoi se Guidi ka pasur probleme shëndetësore dhe është vizituar edhe në spitalet shqiptare.

Për sa i përket statusit të pilotit, Ndrejaj thotë se: “Ai është në gjendje të lirë. Që nga dita e parë deri më sot ka qenë i lirë. E vetmja masë sigurie është dhënë në janar 2017 për të lënë garanci pasurore në shumën 10,000 euro pasi ky shtetas rrezikonte jetën.”

Dyshimeve se Guidi ka qenë i mbrojtur nga policia dhe ka jetuar në fshehtësi gjatë qëndrimit në Shqipëri avokati i është përgjigjur: “Ka jetuar në shtëpi banimi si gjithë shqiptarët e lirë. Kontaktonte familjen dhe fliste në telefon 24 orë në 24. Në muajt e fundit ka qëndruar në shtëpinë time sepse ka qenë sëmurë. Madje kemi festuar edhe ditëlindjen në një lokal në Durrës.”

Ndërkohë, avioni i rrëzuar ndodhet ende në zonën e Ishmit, në një gjendje të degraduar pas përmbytjeve të fundit në këtë zonë. Autoritetet shqiptare po komunikojnë me kompaninë që ka avionin me qëllim që të tërhiqet nga pala italiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje