Grupet e kërkim shpëtimit kanë rinisur kërkimet për tre minatorët kinezë të minierës së kromit në Bulqizë, që rezultojnë të humbur pas shpërthimit të djeshëm në nivelin 21.
Ato kanë arritur në nivelin e 14 të minierës, ndërsa duhen edhe 1100 metra që grupet e kërkim shpëtimit të arrijnë në nivelin e 21.
Dje miniera u përfshi nga shpërthimi i gazit metan.
Kërkimet vijuan gjatë gjithë ditës së shtunë, por u ndërprenë për shkak se nuk funksiononte sistemi i ajrimit dhe rrjedhja e gazit ishte e lartë.
Ndërkohë, në galeri kanë punuar specialistët e RISHMIT për të rregulluar sistemin e ventilimit dhe të ajrimit si dhe për të larguar dheun e shembur duke rregulluar kavon dhe bazamentin e pusit.
Nga shpërthimi në minierë mbetën të plagosur edhe tre punëtorë të tjerë nga Kina, të cilët ndodhet në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë tha në një deklaratë për mediat se ngjarja ndodhi në nivelin e 21-të të minierës së kromit në Bulqizë, gjatë punimeve që po zhvillohen në kuadër të investimit për hapjen e pusit të thellësisë që do të shtojë jetëgjatësinë e kësaj zone mineralmbajtëse.
Ministria tha gjithashtu se në përfundim të operacionit të kërkim-shpëtimit, strukturat përgjegjëse do të hartojnë raportin përkatës dhe analizojnë shkaqet e dinamikën e aksidentit të ndodhur.