Është personazhi sportiv i javëve të fundit, futbollisti më në formë i ekipit tonë kombëtar, pasi ka shënuar 3 gola në 4 ndeshje, duke i dhënë 7 pikë ekipit të Luganos dhe duke e shpëtuar nga rreziku i rënies nga kategoria.
Armando Sadiku po shijon momentin e tij pas rikthimit te Lugano, por ëndrra e tij është që një ditë luaj në një kampionat më të fortë, pse jo, sulmues i Interit, me të cilin ai është tifoz.
Në një intervistë për “Konica.al”, sulmuesi kuqezi rrëfen gjithçka, për ekipin e tij, marrëdhëniet me trajnerin Tramezzani, madje edhe me vajzën e tij, pa harruar Kombëtaren shqiptare, ku ai beson se mund të marrin rezultat pozitiv ndaj Italisë…
Mendoni se jeni çliruar plotësisht pas tre golave radhazi të shënuar, ndaj Grashopper, Vaduz dhe St.Gallen?
Eshtë normale që kur shkon me një ekip të ri të tregosh vlerat e tua. Për mua këto gola kanë qenë shumë të rëndësishëm, sepse e kam demonstruar veten time si sulmues dhe e kam ndihmuar edhe ekipin që të marrim rezultate pozitive.
Jeni 4 pikë larg vendit të fundit. Mendoni se nuk do ta keni problem për ta shpëtuar Luganon?
Për momentin jemi mirë, në vendin e gjashtë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet, sepse jemi afër me pikë. Vërtet jemi 7 pikë para, por ka akoma shumë ndeshje. Na duhet akoma shumë punë për të bërë. Nuk ka mbaruar asnjë gjë, lufta mbetet e hapur për mbijetesë. Por premisat janë pozitive, sepse edhe ekipin e kemi të mirë dhe trajneri po bën një punë shumë të mirë.
Ndeshja me Kombëtaren e radhës është me Italinë. Si e shikon këtë ndeshje?
Është një ndeshje shumë e vështirë, një kundërshtar shumë i fortë, por ne e kemi treguar veten edhe ndaj kundërshtarëve të tillë. Ne do të shkojmë atje dhe do të bëjmë lojën tonë për të marrë maksimalen. Personalisht jam 100% i karikuar dhe e kam me shumë dëshirë këtë takim, duke pasur parasysh se humbja edhe 3 ndeshje për arsye dëmtimi. Do të jap më të mirën për të ndihmuar ekipin, pse jo, t’i shënoj edhe Italisë.
Dihet miqësia juaj me trajnerin Tramezzani. A do ta ndjeni mungesën e tij te Kombëtarja, pavarësisht se ju e keni te Lugano?
Po, Paolo ka qenë një pikë referimi për të gjithë ne futbollistët e ekipit kombëtar dhe jo vetëm për mua. Ka qenë një motivues i madh, një shok, ku për çdo lloj problem shkonim e flisnim me të, sepse e ndjenim veten më të lirshëm. Edhe me De Biasin, por misteri është mister dhe kemi pasur ngurrim. Pikërisht për gjërat tona fliste Paolo. Tani na ka ardhur një zëvendëstrajner i ri, por ne duhet të jemi grup, të vazhdojmë përpara dhe të kthehemi te rezultatet pozitive.