Çfarë po ndodh në Francë!

17 Mars 2017, 18:50Bota TEMA

Nga Ardiana Faja Toska

Në muajt e ardhshëm më 23 prill dhe 7 maj 2017, Franca voton për presidentin e Republikës për pesëvjeçarin e ardhshëm. Zgjedhja presidenciale konsiderohet si më e rëndësishmja në Francë, një votimi i drejtpërdrejtë, i qartë, i ideuar nga gjenerali Dë Gol dhe i aprovuar në referendumin e 28 tetorit 1962. Zgjedhja e Presidentit kalon në dy raunde, në të parin seleksionohen dy kandidatët që kanë marrë shumicën e votave, por jo mazhorancën absolute, ndërsa raundi i dytë, 14 ditë më pas, jep kandidatin fitues të zgjedhur me mazhorancën absolute të votave.

Fushata elektorale e këtij viti, si asnjëherë më parë, po jep përshtypjen e një fushate të tronditur në themele: e pasigurt, e pakuptueshme, e paidentifikueshme, kështu cilësohet ajo në të shumtën e rasteve në shtypin francez. Të papriturat e para destabilizuese filluan në zgjedhjet për kandidatin president brenda partive kryesore të majta dhe të djathta, të cilat eliminuan nga gara elektorale të gjithë kandidatët e pritshëm: ish presidentin Nikola Sarkozi, i djathtë, rast pa precedencë. Përveç të metave të personalitetit të Sarkozisë, nevrik, kolerik, i vetëkënaqur, përçmues, kërkues në ekstrem, si shkak për humbjen citohet fokusimi i ekzagjeruar në temën e emigracionit, jo thelbësore për elektoratin e tij të djathtë, si dhe gabimet e tij si president që elektorati nuk ia fali, me gjithë keqardhjen “mea culpa” që Sarkozi shprehu para mediave franceze. Ish kryeministri Alan Zhypé, e djathta e moderuar, aktualisht kryetar bashkie i qytetit të Bordosë, shumë i privilegjuar në sondazhe, pagoi shtrenjtë pozicionin e tij të ekuilibruar duke humbur dinamikën e sulmit ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Presidentit aktual Fransua Holand, i majtë, refuzoi në dhjetor 2016, pesë muaj para fundit të mandatit të tij si president, të rihedhë kandidaturën   për një mandat të dytë, rast unik në historinë presidenciale të Francës prej vitit 1962. E ndjeu se bilanci i tij ishte aq negativ sa nuk kishte asnjë shans për t’u rizgjedhur si kandidat për president nga e majta franceze.

E majta franceze sanksionoi bilancin e kryeministrit aktual Emmanuel Valls. “Kam ndryshuar” nuk rreshti së thëni Emanuel Valls, por e majta nuk e besoi duke e konsideruar ndryshimin si shumë të shpejtë e brutal për të qenë i sinqertë.

Pra që në fillim elektorati francez shfaqi dëshirën për t’i “bërë daljen” kandidatëve në pushtet. Kjo dukuri s’duhet parë si “veçanti franceze” sepse është e krahasueshme me atë fenomen politik që po ndodh sot në të gjitha vendet e Evropës ku energjia e shpenzuar nga kandidatët në pushtet pati, për fat të keq, si rezultat, një bilanc pak bindës. Mund të përmendim në Francë, thellimin e diferencave sociale, varfërimin e klasës së mesme e cila po zbret për nga niveli i jetesës drejt klasave popullore, vulnerabilitetin e territorit nga sulmet terroriste të një intensiteti dhe egërsie të veçantë, frikën nga flukset e refugjatëve sidomos atyre arabo-myslimanë, dobësimin e sistemit të mbrojtjes sociale.

Kontekst ideal për t’i hapur rrugën ekstremit të djathtë në Francë. Për herë të parë në historinë e Francës, kërcënimi i fitores së ekstremit të djathtë nuk i përket vetëm retorikës politike, por edhe realitetit.

Kandidatja e Frontit Nacional, Mari Lë Pen, 48 vjeç, figuron fituese sipas të gjitha sondazheve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Pasi mori drejtimin e Frontit Nacional në 2011, duke skualifikuar të atin, Zhan Mari Lë Pen, drejtues autoritar, nacionalist e antisemit i së djathtës ekstreme franceze, Mari Lë Pen përdori një strategji politike efikase e cila pastroi Frontin Nacional nga reputacioni negativ i partisë së ekstremit të djathtë. Esenca e kësaj strategjie është kjo: zhvendosja e klasës punëtore nga e majta apo ekstremi i majtë drejt partisë së Mari Lë Pen. Në Francë, duke filluar nga 1990 klasa punëtore ndodhet në një krizë të vërtetë sepse industritë franceze, sidomos ato tradicionale si tekstili, siderurgjia, për të mbajtur produktivitetin e lartë në mënyrë që të përballonin konkurrencën botërore, delokalizuan masivisht prodhimin në Kinë e vende të tjera aziatike duke mbyllur uzinat në Francë e duke krijuar papunësi të lartë. Në veri të Francës, në qytetin Lilles e përreth tij, të bien në sy ndërtesat gjigande me tulla të kuqe të uzinave tekstile të boshatisura, pa makina dhe  pa punëtorë. Klasa punëtore u ndje e tradhtuar nga partitë e majta e të djathta në pushtet, të cilat sipas saj nuk menduan asnjë strategji efikase për të mbrojtur industritë franceze që ato të qëndronin në Francë. Zhgënjimi i klasës punëtore u shfrytëzua nga Mari Lë Pen, e cila me demagogji, u premtoi se do të kthejë industritë në Francë e do t’u japë punë. E joshur nga oferta, një pjesë jo e vogël e kësaj klase braktisi të majtën ekstreme për partinë e Mari Lë Pen. Kjo është fitorja më e madhe politike e Mari Lë Pen dhe fatkeqësisht edhe rreziku më i madh për demokracinë franceze sepse e konvertoi Frontin Nacional në një lëvizje popullore masive, duke i siguruar një bazë sociale klasore më të gjerë, elektorat më të shumtë në numër dhe më keq akoma, ndihmoi Mari Lë Pen të fshehë thelbin ekstremist të djathtë  të partisë së saj. “Kundër së djathtës që i falet parasë dhe së majtës që i falet parasë, unë jam kandidatja e Francës që i përket popullit” – deklaron Mari Lë Pen duke u pozicionuar në këtë fushatë elektorale si parti e pavarur, as e majtë, as e djathtë. Por në programin elektoral të Mari Lë Pen figurojnë preferencat politike tipike të ekstremit të djathtë të kamuflura me zgjuarsi, si masa ekonomike. Le të përmendim dy kryesoret:

E para, nëse zgjidhet Mari Lë Pen, do të vendosë në kushtetutën franceze principin thelbësor të ekstremit të djathtë francez, atë të “preferencës nacionale” që Mari Lë Pen e quan sot kriterin e “prioritetit nacional” për vende pune, strehim, shkollë e shëndetësi. Kjo do të thotë se Mari Lë Pen, kërkon të heqë barazinë sociale midis atyre që kanë nacionalitetin francez dhe rezidentëve të huaj, duke i privuar këta të fundit nga të drejtat ekonomike e sociale më elementare.

E dyta, Mari Lë Pen, nën pretekstin se dëshiron “t’i japë fjalën popullit”, deklaron se nëse vjen në pushtet, do të dobësojë rolin e Parlamentit duke i dhënë prioritet votës popullore ma anë të Referendumit, praktikë votimi e cila lejon konsultimin direkt me elektoratin mbi një pyetje apo projektligj që adoptohet nëse përgjigja është pozitive. Kjo përbën një atentat ndaj institucioneve demokratike.

Shtojmë gjithashtu se Mari Lë Pen nuk ka asnjë eksperiencë në pushtet, programi i saj është totalisht demagogjik, ajo thjesht akuzon dhe kërcënon. Franca jashtë Komunitetit Evropian, Franca jashtë euros, Franca me politikë ekonomike proteksioniste, ksenofobi dhe shtet autoritar. Të votosh për Mari Lë Pen do të thotë të bësh pakt me djallin. Do ta provojnë francezët? Tundimi është i dukshëm dhe i fortë deri tani.

Por Mari Lë Pen është e fortë sepse kundërshtarët e saj janë të dobët.

E majta franceze e përçarë, nuk po arrin të bashkohet: dy kandidatët e saj kryesorë, Bënua Hamon, 49 vjeç, ish ministër i Arsimit i Fransua Holand dhe Zhan Lyk Melonshon, 65 vjeç, janë si “vëllezër armiq” me strategji elektorale të kundërta. I pari synon unitetin e së majtës, i dyti një unitet më të gjerë popullor, duke tërhequr atë pjesë të popullsisë që zakonisht abstenon. Gjithashtu kultura politike e së majtës franceze nuk e sheh me sy të mirë individin, ajo që ka rëndësi është programi, ideja, jo shefi. Pikërisht nga ky handikap vuan kandidati socialist aktual Bënua Hamon: ai refuzon të luajë rolin e liderit, duke pohuar se nuk ka zgjidhje për të gjitha. Mirëpo elektoratit francez nuk ju pëlqen kjo gjë, ai ka nevojë për lider. Mos harrojmë se francezët nuk e deshën mbretin dhe i  prenë kokën, Luigjit të XVI, por kanë ruajtur një nostalgji të çuditshme për të dhe presidentin e konsiderojnë si mbret të “bekuar” jo nga Zoti, por nga populli. Sondazhet e fundit i japin 13% të votave Benua Hamon dhe 11% Zhan Lyk Melonshon.

Kandidati kryesor i së djathtës republikane, Fransua Fijon, 62 vjeç, ish kryeministër i Nikola Sarkozi, nuk jep dorëheqjen: “Mbetem kandidat dhe do shkoj deri në fitore”, thotë ai, megjithëse është në proces gjyqësor që prej së martës, 14 mars, me akuzën për abuzime të fondeve publike, ai ka punësuar si asistentë parlamentarë, bashkëshorten (1998-2007) dhe fëmijët (2005-2007) të cilët janë paguar në total, respektivisht 831.440 dhe 84.000 euro bruto. Francezët, të zhgënjyer nga mungesa e koherencës mes fjalëve dhe akteve të kandidatit bëjnë pyetjen: “Si ka mundësi që Fijon ka kurajon t’i kërkojë francezëve të bëjnë sakrifica, t’i thotë administratës duhet të punoni, kur ai ka paguar për vite me radhë të shoqen që ka bërë sikur ka punuar?! Kaq poshtë ka rënë Franca?”. Sondazhet parashikojnë për Fijon vetëm 18% të votave, por niveli i besueshmërisë së votës është i lartë: 66% e atyre që janë pyetur thonë se janë të sigurt se do votojnë për të.

I vetmi kandidat që po konfirmohet deri tani si konkurrues i Mari Lë Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve, është kandidati i pavarur Emanyel Makron, më i riu në moshë, 38 vjeç, i dyti në sondazhe me 25% të votave.

Emanuel Makron, u propozua nga presidenti Frasua Holland, si Ministër i Ekonomisë në qeverinë e kryeministrit aktual Emanuel Valls, ku qëndroi dy vjet, 2014 deri në 2016. Si ministër, Makron aplikoi një politikë social–liberale duke adoptuar “ligjin Makron”, që liberalizoi me prioritet profesionet e transportit, taksitë, autobusët (shumë linja autobusi lidhin sot qytete në Francë me çmim bilete mjaft të lirë, duke i bërë konkurrencë trenit) dhe autorizoi hapjen e dyqaneve të dielën, e paimagjinueshme më parë në Francë. Por ambicia e tij politike kryesore ishte kandidatura për president. Jep dorëheqjen si ministër në gusht të 2016 dhe udhëton nëpër Francë për të kuptuar problemet e francezëve. Troket në 100.000 dyer, mbledh 25.000 pyetësorë dhe sintetizon problematikat e tyre në programin  e tij, ku i jep prioritet 6 sektorëve: reformës së arsimit, asaj të tregut të punës, modernizimit të ekonomisë, mbrojtjes, strategjive internacionale dhe moralizimit të politikanëve (mos të punësojnë të afërmit e tyre, mos të ketë privilegje në pensione etj.)

Pikat e forta të Makronit janë:

Formimi dhe karriera tepër e suksesshme për moshën. Cilësohet si teknokrat, sekretar shteti, ministër, si financier. Ka punuar në bankën e miliarderëve Rothchild ku e thërrisnin “Moxarti i Financave”, si filozof, pasi ka qenë asistenti i filozofit më prestigjioz në Francë, Pol Rikër (1999 -2001), si letrar, pasion që e afishon me shumë kënaqësi. Madje ai është i martuar me mësuesen e tij të frëngjishtes në shkollë të mesme, 24 vjet më e madhe se ai.

Ka aftësi për të adaptuar mesazhin politik në funksion të personave që ka përballë. Duket sikur ka bërë një studim tregu për të identifikuar një kategori: gratë, pensionistët, imigrantët, të cilën do ta bindi me programin e tij. Një humorist francez thotë se Makron “është një produkt mediatik me rentabilitet të lartë që ka një pozicionim marketingu perfekt për shitësit mediatikë”.

Diskursi politik liberal dhe pro-evropian i Emanyel Makron i drejtohet kryesisht banorëve të qyteteve të rëndësishme, zonave ekonomike të zhvilluara të Francës, të nderuarve të majtë dhe të djathtë, duke lënë pas dore shtresat më të varfra. Kandidatura e Emanyel Makron po shkakton erozion si në elektoratin e së majtës ashtu edhe në atë të së djathtës. Së fundmi, personalitete të fuqishme franceze, mes të cilëve kryetari i Modem, Parti e qendrës, Françua Bejru dhe ekonomisti Zhak Attali, kanë zyrtarizuar përkrahjen e tyre ndaj kandidatit Makron. Thembra e vërtetë e Akilit për kandidatin Makron është besueshmëria e ulët e votës së shprehur: 50% e atyre që kanë thënë se do të votojnë për të janë të sigurt në atë që thonë dhe 50% mendojnë se mund të ndryshojnë mendje.

“Kujt të shenjti t’i besojmë?” – pyesin skeptikë francezët.

Elektorati shfaqet shumë i paqëndrueshëm, një votues mbi dy nuk e di ende nëse do të votojë dhe për kë do të votojë. Ka ende dy muaj fushatë elektorale në Francë dhe në një peizazh elektoral ku partitë kryesore janë të përçara, të konsumuara nga pushteti, në zbehje të influencës vetëm dy tendenca janë të qarta për momentin: Rreziku i fitores së Mari Lë Pen dhe volatiliteti e çoroditja e elektoratit.

Situatat në periudhë elektorale kanë risi e të papritura të shumta, aleanca, tradhti, prandaj komentet e bëra në artikull mund të pasurohen me të vërteta të tjera, barometri elektoral është gjithmonë në lëvizje.

5 komente në “Çfarë po ndodh në Francë!”

    1. temp says:

      Vive Le Pen ??? Nacionalistet nuk i kane sjelle as dhe nje gje te mire Europes pervec se luftrave. Partite pupuliste, nder te cilar rrjeshtohet dhe ajo e Le Pen-it nuk zgjidhin probleme, vetem antagonizojne shoqerine, fillojne e nxjerrin armiq te shoqerise (si psh emigrantet), dhe krijojne diktatura qe perfundojne ne konflikte kombetare ose nderkombetare. Te shikojme se cfare do bej nese fiton. Do na shesin mend se Franca dhe francezet jane te rralle, prandaj te tjeret duhet ti sherbejne, ti degjojne pa ndonje verejtje, ti hapin dyert e tregut, te paguajne per mallrat franceze shume me teper sesa vlera e tyre. Keshtu kane bere per shekuj me rradhe, dhe tani kur bota ndertoi strukturat e ngjashme dhe vende te tjera filluan te pasurohet, ne baze te punes, francezet prishin lojen dhe kerkojne te vendosin rregualla te tjera, pasi keto qe jane (psh. globalizimi) nuk i pelqejne.

    2. Mondialisti says:

      Sindikalist! Mos e humb zerin per Le Pen po per figura me demokratike ….

  1. temp says:

    Vive Le Pen ??? Nacionalistet nuk i kane sjelle as dhe nje gje te mire Europes pervec se luftrave. Partite pupuliste, nder te cilar rrjeshtohet dhe ajo e Le Pen-it nuk zgjidhin probleme, vetem antagonizojne shoqerine, fillojne e nxjerrin armiq te shoqerise (si psh emigrantet), dhe krijojne diktatura qe perfundojne ne konflikte kombetare ose nderkombetare. Francen nuk e prishen emigrantet, pasi ato nuk kishin pushtet. Francen e prishi “llastimi” i shoqerise nga shteti. Shteti social i largoi njerezit nga puna. Nuk e nderton forcen e nje shteti mbyllja, izolimi, kontraditat e brendeshme, por progresi dituria dhe puna.

  2. temp says:

    Vive Le Pen ??? Nacionalistet nuk i kane sjelle as dhe nje gje te mire Europes pervec se luftrave. Partite pupuliste, nder te cilar rrjeshtohet dhe ajo e Le Pen-it nuk zgjidhin probleme, vetem antagonizojne shoqerine, fillojne e nxjerrin armiq te shoqerise (si psh emigrantet), dhe krijojne diktatura qe perfundojne ne konflikte kombetare ose nderkombetare. Te shikojme se cfare do bej nese fiton. Do na shesin mend se Franca dhe francezet jane te rralle, prandaj te tjeret duhet ti sherbejne, ti degjojne pa ndonje verejtje, ti hapin dyert e tregut, te paguajne per mallrat franceze shume me teper sesa vlera e tyre. Keshtu kane bere per shekuj me rradhe, dhe tani kur bota ndertoi strukturat e ngjashme dhe vende te tjera filluan te pasurohet, ne baze te punes, francezet prishin lojen dhe kerkojne te vendosin rregualla te tjera, pasi keto qe jane (psh. globalizimi) nuk i pelqejne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje