Sot gjithë vëmendja ishte tek ministri i Jashtëm gjerman dhe qëndrimi i tij për çadrën.
E dinim që situata nuk ishte mirë, por porosia që na u dha ishte të shikonim ndonjë gjë optimiste që mund të thuhej.
Ajo që na gëzoi shumë, ishte që në deklaratën zyrtare të qeverisë gjermane, për herë të parë në historinë e diplomacisë gjermane, emri i Lulzim Bashës ishte i plotë, duke futur në mes dhe emrin e baba Xhelalit.
Kjo gëzoi gjithë çadrën, pasi gjithë çadra njeh vetëm vjehrrin e Lulit dhe babain nuk ja njeh njeri.
Biles as emrin nuk i kemi pas ditë.
Ndërkohë, në çadër plasën debatet përse e bëri këtë qeveria gjermane.
Unë dhe disa miq të mi, mbështesim idenë se Gjermania e ka bërë këtë, për të identifikuar Lulin si një lider me personalitet të tij.
Ngaqë gjithë njerëzit thonë që Luli ka baba shpirtëror Doktorin, ata kanë saktësuar që babai i Lulit është Xhelal Basha.
Një palë tjetër këmbëngul që kjo është bërë për të theksuar pavarësinë e Lulit nga vjehrri.
Shtypi armik e quan vjehrrin e Lulit, faktor kryesor në karrierën e Lulit dhe e konsideron atë si dhëndër brenda.
Gjermanët kanë dashur t’i japin personalitetin e tij dhe kanë theksuar se ky njeri ka një baba dhe babai quhet Xhelal.
Vetëm me disa të rinj nga Kamza, nuk u morëm dot vesh.
Ata këmbëngulin se bëhet fjalë për Lulzim Bashën dhe Xhelal Mziun, pra gjermanët kanë bashkuar emrin e Lulzimit me të Xhelalit, si shpresa e vetme e PD.
Debateve u erdhi fundi, pasi në çadër erdhi Enno me dy n dhe theksoi se më në fund Gjermania u detyrua të fliste me një burrë të vërtetë, të cilit u detyrua t’i përmendi dhe babain në komunikatën e shtypit.
-Kjo është fitorja e parë e çadrës. Lulzim Basha demontoi gjithë gënjeshtrat e Ramës, tha Enno me dy n.
Deputeti Ruli, që hyri ndërkohë në çadër, pasi dëgjoi fjalimin e Ennos me dy n, tha:
-Kjo është një fitore e madhe. Për 60 ditë arritëm të çmontojmë gënjeshtrën e parë të Edi Ramës për Lul Bashën, që është fëmijë i një prej djemve të Enverit. Gjermania na ka siguruar se është djali i Xhelalit. Me këtë fitore mund të dalim lirshëm nga çadra se tani e dimë kush na drejton. Gënjeshtrat e Edi Ramës morën fund.