Një shoku im i çadrës më tregoi sot gazetën Shekulli.
Jehona e meditimit tim për Koçon kishte shkuar deri në gazetë.
Por mua nuk më kishte shkuar mendja, se ajo që po ndodhte në çadër, ishte aq e rëndësishme dhe aq frymëzuese për të.
Kur e lexova u emocionova vërtetë.
Ajo që unë analizoja ishte se si ishte pritur në PD ardhja e Koços, kush ishte mërzitur e kush ishte zhgënjyer.
Por mua nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se Koçua kishte ardhur si kryetar i ardhshëm i PS.
Ky është dhe produkti më i ri i çadrës.
Ne jo vetëm që po arrijmë të bëjmë koalicionin e së ardhmes, por po rregullojmë dhe të ardhmen e PS, duke ja legjitimuar qysh tani kryetarin.
Ishte diçka që nuk më kishte shkuar në mend.
Ja çfarë thoshte shkrimi i frymëzuar nga ditari im.
“Takimin me Lulzim Bashën, Edi Rama e ëndërroi, por Koço Kokëdhima e realizoi.
“Shpresoj që të kem një orë dhe vend për takim, kudo qoftë dhe në çfarëdo formati që të jetë”, dukej sikur i lutej kryeministri javën e kaluar shefit të opozitës. Pa sukses.
Gjatë ëeek-endit ndodhi megjithatë papritur takimi midis PD-së dhe PS-së.
Lulzim Basha u takua me Koço Kokëdhimën, anëtar i PS-së, si dhe kryetar i të vetmit fraksion të zyrtarizuar në PS, Zgjidhja.
Opozita i dërgoi kështu mesazh të qartë Ramës se nuk është kundër takimit, por me kusht që në të diskutohet seriozisht dhe jo për fasadë.
Ndërsa Zgjidhja tejçoi mesazhin se Rama mund të ketë idenë e tij fikse për datën e zgjedhjeve por në këto momente historike për vendin ai nuk mund të angazhojë të gjithë militantët e PS-së”.
….
“Prandaj Kokëdhima, i sigurtë se lideri i PS-së nuk do t’i shmanget dot shtyrjes së datës së zgjedhjeve, i “zuri vendin” atij në takimin me shefin e opozitës për të filluar pa humbur kohë nga diskutimet mbi thelbin e çështjes.
Mbi përmbajtjen e reformës zgjedhore, pasi pallavrat e Ramës që data e zgjedhjeve nuk shtyhet, nuk bindin veçse atë.
Për më tepër, Kokëdhima merr kështu “takim” në avancë me delagatët e Kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së më 29 prill.
Ai do të paraqitet atje si lideri i fraksionit brenda PS-së, që pati të drejtë para Ramës, si ai që tha se reforma zgjedhore do të bëhet duke shtyrë datën e zgjedhjeve.
Nëse Rama zbrapset duke u detyruar nga presioni ndërkombëtar të shtyje datën e zgjedhjve, është normale që Kokëdhima do të kërkojë për lëvizjen Zgjidhja lidershipin e PS-së.
Ndaj mund të thuhet me plot gojë se takimi i parë i punës midis PD-së dhe PS-së për t’i dhënë konturet reformës zgjedhore, ndodhi në fund javë.
Kokëdhima i nisi këto bisedime si lider fraksioni në PS.
Ai do t’i përfundojë ato si kryetar i PS-së, i votëbesuar nga Kongresi, për të nxjerrë vendin nga kriza e paparë institucionale dhe për t’i ofruar së majtës një fitore të re, pa prapamendime vrastare midis aleatëve…”
Ky shkrim më la pa fjalë.
Më erdhi keq që edhe autori ka vënë për mbiemër pseudonimin “Burimi”, siç kam vënë unë “pjeshkën”, por gjithsesi e mirëkuptoj.
Idetë e mëdha fshihen pas mbiemrave natyralë.