Dita e sotme ishte dramatike. Kur ne menduam se ishim në kulmin e mbështetjes nga populli, vjen njëri në çadër dhe thotë “Xhafua na tradhtoi!”
Në çadër ra zia.
-E ke të sigurtë që ishte Xhafua, tha njëri?
-Po po, Xhafo e kishte emrin. Dhe me origjinë ishte andej nga Kurveleshi, nga Progonati më duket.
-Xhafua qenka, tha Aldua i dëshpëruar.
-Ja kisha një frikë atij, tha Ristani, se here- herë i qan shpirti të jetë prapë në PS.
-Po çfarë tha, pyeti Strazua? A na fëlliqi, a u mbajt?
-Lere, na tradhtoi. Filloi bënte gallatë me Edi Ramën, ai legeni i thoshte thuaj Lulit të vijë të më takojë, se nuk e prek me dorë. Mos e pyet. Na turpëroi.
Në çadër ra zia.
Të gjithë flisnim për Xhafon.
Si ka mundësi, ai njeri që ka 48 ditë me çadrën, të na ketë tradhtuar befas kështu!
Më në fund mbërriti në çadër vetë Kunati.
Të gjithë po e shikonin me bisht të syrit, si po reagonte.
-Duhet të bëjmë një deklaratë për shtyp, tha. Xhafua ka qenë spiun sigurimi.
Në çadër ra një heshtje e rëndë.
-Ky e ka hallall, tha njëri, që shet dhe babain për partinë.
-Është marrë dhe me drogë, e kemi të sigurtë, vazhdoi Kunati.
-Hë më të lumtë, i tha një tjetër. Ti qenke për partinë. Unë ëndërroj të kem një djalë si ty. Nëse një ditë e shkel, siç paska bërë Xhafua yt, ai duhet të më denoncojë.
Kunati e pa i shastisur.
-Nuk është Xhafua im, tha. Është një Xhafo nga Cakrani, por qenka me origjinë nga ana jonë. Xhafua im e zbuloi, se e ka pas në kooperativë dhe paska qenë reaksionar.
-Eh, shyqyr mo djalë se na ngrive gjakun, i tha protestuesi, dhe ju hodh Kunatit në qafë që doli i pastër Xhafua ynë.
Deputeti Ruli po rrinte në fund të çadrës dhe po dëgjonte.
-Uf, na ngriu gjaku, i thashë unë. Shyqyur që nuk qenka Xhafua jonë.
-Yni tamam është Xhafua që na tradhtoi, tha Ruli. Ky Xhafua jonë ka tradhtuar PS-në, nuk tradhton më.