Sot u njohëm në çadër me një komplot ndërkombëtar kundër çadrës.
Një diplomat perëndimor i paska thënë aleatëve të PD, dilni në zgjedhje, se mund të merrni më shumë vota pa PD.
Kjo ka tërbuar gjithë njerëzit në çadër.
I pari që e mori fjalën, ishte Mediu.
-Si mund ta bëjmë ne këtë, tha Mediu. Kam 25 vjet në politikë dhe nuk i kam marr kurrë asnjë votë PD.
Dhe mandatin e deputetit ma ka dhënë vetë PD, por unë kurrë nuk i kam marrë asgjë pa leje.
Si mund t’ia bëjmë ne këtë PD?! Kjo është një çmenduri!
Si mund tia bësh këtë një partie që ka qenë luajale me ne dhe na ka futur rregullisht në listat e saj!
Vetëm një njeri i pashpirt, i pagjak, i pabesë dhe i paburrë mund ta thotë këtë.
Unë e di si më ka mbajt vendi atë natë në atë kafe.
Sa dola jashtë, ja thashë Doktorit menjeherë, por më tha mos ja thuaj Lulit, se trembet dhe dekurajohet.
Tani që u muar vesh po e them publikisht.
Asgjë nuk na ndan nga PD!
Pas tij, e mori fjalën Nard Ndoka:
-Unë u çudita shumë kur e dëgjova.
Me sa kuptova unë, ai thoshte se ato vota që do t’i merrte PD, merrini ju.
Nuk më kishte shkuar në mendje, por tani jam i qartë se kur një parti nuk merr pjesë në zgjedhje, nuk merr as vota.
Kjo do të thotë që ato vota mund t’ia marrim ne.
Në fakt unë nuk u mërzita kaq shumë sa Fatmiri, por thashë po e pyes një herë Doktorin, a do më vërë në listë, a të futem vet.
Por tani që e shikoj se është problem, por i them të më fusë në listë dhe nuk kemi pse i marrim votat e PD.
Gon Duka:
-Unë jam betu që më 2001 që nuk i vjedh më vota PD dhe nuk më detyron dot askush ta bëjë këtë gjë përsëri.
Provokimi i atij diplomatit ishte i poshtër, por unë nuk bie në atë batak.
Kam vendos me hy vetë, me marr votat e mia, dhe kaq.
Po qe se PD thotë mos hyni, nuk po hymë, e po i kursejmë ca lekë për qejf në behar.
Gjë tjetër s’kam ça me thënë.
Vangjel Dule:
Ajo është deklarata më antishqiptare që kam dëgjuar.
Ju e dini që mua më lidh puna me lloj- lloj njerëzish, me ata që kërkojnë coptimin e Shqipërisë, Vorio-Epirin, kalanë e Skënderbeut në Lezhë, e çfarë tjetër nuk kërkojnë, në shkëmbim të votave për mua.
Dhe ua kam pranuar të gjitha.
Por të më kërkojnë të tradhtoj PD, ky është fundi!
Këtë nuk do ta lejoj kurrë.
Pas kësaj, në çadër shpërthyen duartrokitje.
Djemtë nga Laçi kishin hartuar ndërkohë një peticion dhe kërkuan të gjendet adresa e këtij diplomatit në Bruksel dhe vila e tij, dhe të dërgohen skifterët të mbarojnë punë.
Këtu u desh ndërhyrja e Lulit, i cili qartësoi situatën, kur tha se: “PD nuk merret me mafiozët e Bruskelit dhe SHBA, do vazhdojë rrugën e saj të ndershme”.