Sot pritej të ishte një ditë e madhe. Siç na kishin njoftuar LSI do tërhiqte ministrat nga qeveria dhe do shpallej aleanca e re tek çadra. Por siç na deklaroi një burim i LSI, pavarësisht se nuk ishin ç’regjistruar nga qeveria, ata mund të quheshin të regjistruar në opozitë.
Ngjarja e dytë ishte po ashtu e ngjashme. Është fjala për regjistrimin e aleatëve në zgjedhje. KQZ publikoi një listë ku ata figuronin të regjistruar, por ata deklaruan se nuk e njohin atë rregjistrim dhe se ndjehen të vetçregjistruar.
Kjo situatë na ngrirë paksa buzeqëshjen pasi nuk dimë në të vërtetë se çfarë mund t’u duket më mirë aleatëve dhe çfarë LSI.
Për këtë u përpoqa të mbledh disa arsye përse LSI nuk u ç’regjistrua sot nga qeveria.
E para mendoj që është Festa e Pashkëve. Dita e Zezë e Pashkëve, është e diela, kështu që sot ishte e martë dhe nuk kishte lezet.
E dyta mendoj që është ndeshja Juve-Barcelona. Në rast se ikte LSI humbiste dhe Juve, dhe Edi Rama binte në depresion. Nëse fiton Juve kemi shans që LSI të ikë nesër për t’ia ngrirë buzëqeshjen Ramës.
E treta që është dhe më e rëndësishme ka të bëjë me paqartësinë e pronësisë së depos së Canabisit në Përmet. Një palë pretendon se është e LSI pasi kryeplaku i fshatit dhe dy shefat kryesorë të policisë janë me LSI, pala tjetër, përfshi dhe Doktorin, thotë që është e PS dhe ja ka caktuar Krenarit nga Kombinati. Pa mbaruar hetimet në këtë pikë, nuk mund të ketë vendime, pasi kjo sjell kaos në financat respektive.
Sa u përket aleatëve ka vetëm një shpjegim. Ata do ta mbajnë regjistrimin formal, që ta kenë për çdo kohe pasi dhe ashtu ata nuk bëjnë fushatë. Nëse i voton dikush, ata do njoftohen nga KQZ që kanë fituar, nëse jo, nuk i njohin zgjedhjet.
Por kryelajmi është se Senatori Xhon McCain, ka ardhur të ndërmjetësojë krizën. Por dhe kjo na ka dëshpëruar. McCain është vërtet republikan dhe pro shqiptar, por është kundër Trumpit dhe ne do mendohemi mirë, nëse është i paguar nga Sorosi apo ka ardhur me kokë të vet, pasi Trumpi nuk di gjë.
Për këtë dilemë, pyeta deputetin Ruli, që merr vesh nga punët e botës.
-Me kë të jetë ky McCain,- i thashë, se ky nuk i ka mirë punët me Trumpin.
-Çtë të them moj vajzë, – tha. Puna është me kë jemi ne.
-Ne jemi me Trumpin,- i thashë unë, kështu thotë Luli.
-Atëhere jemi në rregull.- tha Ruli. Xhon McCain ka ndërmjetësuar pajtimin e Vietnamit me Amerikën, pasi SHBA i vrau vietnamezët. Në këtë rast dhe Luli i ka vrarë këta socialistët, kështu që ai i bie që McCain, të jetë në anën tonë dhe të na pajtojë me Edi Ramën.
E bukur i dashur Mero