Ditari i Megi Pjeshkës: Njihuni me propzimet e çadrës për “Republikën e re”

19 Prill 2017, 20:47Antena TEMA

Sot në çadër bëmë një seminar të vogël.

Një nga zëdhënëset e partisë, na tregoi në kompjuter një faqe ky mund të shkruanim propozimet tona mbi Republikën e re, si e përfytyronim atë dhe si mund të përsosej.

Pasi na e tregoi, ne vumë dhe një reklamë në çadër me adresën në internet, ku mund të dërgoheshin propozimet e Republikës së re.

Nuk munguan dhe nisën propozimet e para.

I pari që shkruajti është ky shoku im laçian:

“E dashtun Republikë e re. Unë dëshiroj që kur të vish ti, të jena njerëz të lirë, mos me na pengu policia me bë noj punë, mos me na kërku faturë për orët e shtrenjta e sende që sjellim nga emigracioni, se i kena vënë me gjak.

Duhet me e heq këtë ligjin që të dënon po të kapi me noj shoqe që shkon me lekë, se njerëzit dun me jetu.

Duhet me rregullu këtë afatin i vizës 90 ditë, me e bë më të madh, se nuk mbarojmë dot një punë tamam.

Kam e gjëna të tjera të shkruj më vonë”.

Pas tij, kishte shkruajtur Flamuri:

“Republikën e re, unë e mendoj me Sali Berishën president, me Lulzim Bashën kryeministër, unë në krye të rendit, dhe i japim fund Republikës së hashashit.

Po të dun, le të dalin pastaj në bulevard.”

Aldo Bumçi shkruante se: “Republikën e re e përfytyroj si një vend ku nuk të vjedh njeri makinën, duke qenë ministër dhe ku të ndalohen fakset nga zyrat e ministrave, se të ngatërrojnë në punë të kota”.

Deputetja seksi nga Peqini shkruan:

“Republika e re është një mashkull i bukur i ëndrrave, që ka fytyrën dhe tiparet burrërore të Sali Berishës, ëmbëlsinë femërore të Lulzim Bashës, sharmin e Gridës, gjoksin e deputetes nga Vlora, sytë e Genc Rulit dhe ballin e menduar të Aldo Bumcit.

Kaq dua dhe të vdes”, shkruan deputetja seksi e Peqinit.

Por ajo që na vuri të gjithëve në mendime, ishte mesazhi i Gridës:

“Unë e konceptoj Republikën e re si një interferencë në kohë të vlerave që kanë prodhuar një apokalips kombëtar, nën ndriçimin e disa prej manifesteve të mëdha historike të këtij vendi, që konvergojnë në tiparet e një përndritje të re kombëtare, që nuk përjashton të vjetrën, por që ka imazhin e diçkaje që shndrin në agun e ditës që vjen”.

Kur e lexova këtë, në çadër ra heshtje.

-Qenka pak e vështirë kjo Republikë e re, më tha shoku nga Laçi.

-Jo, i thashë, nuk besoj, por Grida e ka për të huajt, jo për ne.

Në fund, ishte dikush pa emër:

“Ta shikoj dhe një herë Lulin kryeministër, pa të vdes”, kishte shkruar.

-Kush mund të jetë ky, pyeta?

-Nga stili duket si Xhafua, tha Ruli. Ky e ka breng mos vdes pa e parë Lulin kryeministër.

I dhashë të drejtë.

E kisha hetuar këtë brengë të Xhafës, sa herë vjen në çadër.I njeh mirë komunistët ai.

Ishte diçka shumë e këndshme. Mesazhet vazhdojnë.

Është sukses i paparë ky formulari.

2 komente në “Ditari i Megi Pjeshkës: Njihuni me propzimet e çadrës për “Republikën e re””

  1. Fatmir Lohja says:

    Shume bukur.Me shume humor.

  2. Wtf says:

    Ha ha ha. Diskursi i Ulërimës është legjendar ?.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje