Lajmi se çadra nuk do të prishet, na lumturoi pa masë.
Kur më thanë se ka mundësi ta heqim nesër pas mitingut, u mërzita shumë.
Të parën pyeta Gridën.
-Di gjë ti, do ta heqin çadrën, i thashë?
-Nuk jam e qartë, nëse kjo konvergon me idenë e ngjizjes së një impulsi të ri, që do të implementohet përmes një aksioni më adekuat, duke rrethuar Kryeministrinë dhe duke e kthyer çadrën në një hapësirë virtualisht më të madhe, ku të përfshijë brenda në formën e një meduze dhe Kryeministrinë, por sidoqoftë mbetet të them se këtu ka lindur një inspirim, i cili do na çojë larg.
E pashë që nuk dinte gjë, dhe pyeta Flamurin.
-Jo oj ti, si dashkan me e mbyll, tha. Ai burri nuk më ka thënë gjë.
Po e bëri Luli me kokë të vet, do mbajë përgjegjësi.
Unë dhe ai burri jemi që të vazhdojë.
Nesër na duhet se do fusim në çadër bombat molotov dhe do strehohen personat që mund të ndiqen nga policia.
Çadra do jetë si ato Ambasadat në vitet ‘90, që kur policia ndiqte dikë, ai futej në Ambasadë dhe policia raportonte në radio “Nuk kemi ç’ti bëjmë, hyri në Ambasadë”.
Flamuri më qetësoi.
Pas tij pyeta Strazon.
Dhe ai ishte i të njëjtit mendim.
Por ndryshe nga Flamuri, ai kishte idenë që çadrën ta dizanjonim me ngjyrat e BE dhe të shkruanim ZYRA e BE në Tiranë, për t’u treguar qytetarëve se kjo ishte BE, jo aty ku ka zyrën Hahn.
-Mirë, i thashë, por për këtë fol me sektorin e logjistikës se unë mbuloj eventet.
Në fund erdhi Luli.
Edhe ai konfirmoi se çadra nuk do të mbyllet.
Në çadër shpërthyen duartrokitjet.
-Këtë fjalë e kanë përhapur armiqtë e çadrës, ca kukumjaçka, tha Luli, që mendojnë se ne mund të ikim këtej pa ja arritur qëllimit.
Kurrë nuk kemi për të dalë, derisa të vij Republika e Re.
E gëzuar, pyeta Rulin se kur mendonte që do të bëhej Republika e Re.
-Po ç’të të them unë moj vajzë, tha Ruli. Ne mezi po mbajmë në këmbë Republikën e vjetër, ti më kërkon të renë.
Ne u torturuam të qëndrojë ende Saliu, Luli, Ridvani, Flamuri, ti më pyet për Republikën e re.