Ditari i Megi Pjeshkës: Ja argumentet që ky është mitingu më i madh në histori

14 Maj 2017, 20:05Antena TEMA

Ka pasur shumë debate sot për shifrat e mitingut. Ky debat u rihap dhe sot në çadër mes miqve për të qenë realistë, se si ishte pjesëmarja.

Për këtë ftuam dhe folës të ndryshëm të shpreheshin rreth kësaj.

I pari foli Doktori.

-Edi Rama mori 1 milion e 200 mijë shuplaka kundër dje,- e nisi ai fjalën e tij.

-Doktor, po ti sikur the 600 mijë, dje.

-Po zotëri,- tha Doktori, por secili ka nga dy duar dhe a janë 1 milion e 200 mijë shuplaka?!

I dhamë të drejtë dhe e duartrokitëm.

Pastaj e mori fjalën Kaçi i Bardhë.

Ky është mitingu më i madh në histori,- tha Kaçi,-dhe po u jap shifrat.

-Tirana ka 1 milion e 300 mijë banorë përfshi dhe zonën e Vorës, Bathores, Kamzës.

A biem dakord për këtë?

-Po,- i thamë ne.

-Atëhere, ne kemi vendosur kamera në dalje të Tiranës. Nga llogaritë tona nga Tirana kanë dalë rreth 30 mijë makina dhe 100 furgona, plus dy trena me dy vagona. Sipas gjithë llogarive maksimale, nga Tirana kanë ikur kur nisi mitingu rreth 200 mijë vetë, dhe këta mendohet se nuk janë të interesuar për mitingun. Pjesa tjetër 1 milion e 100 mijë kanë qenë në miting. Ja kjo e ka tmerruar Edi Ramën.

Edhe “Kaubojsi” tentoi të bëjë një llogari.

-Ndigjoni këtu,- tha. Ed Ramës unë i kam pas çu në 2013, mbi 500 mijë vetë, në një takim që ka bë në Tiranë dhe 100 mijë vetë, në një takim në Milano. Këtë radhë unë këta ia kam çu PD. Është e thjeshtë llogaria, 600 mijë të mijtë dhe 600 mijë të Doktorit.

-Doktori i llogarit si gjymtyrë,- i tha deputeti Ruli.

-Po mo, më llogarisni dhe mu si gjymtyrë,- tha “Kaubojsi”.

-Epo atëhere është në rregull, -tha Ruli se meshkujt si puna jote u shtohet dhe një gjymtyrë më shumë në llogari.

Meqë biseda u bë shumë banale, vendosëm të pyesin dhe profesorin e çadrës, se ç’mendonte ai për shifrën.

-Unë e kam ndjekur me kujdes tha. Ky është mitingu më i madh në historinë e Shqipërisë, që është mbajtur të dielën e dytë të Majit, në një vit tek, në Mijëvjeçarin e Dytë.

U çuditëm shumë. Nuk na kishte shkuar mendja që më 13 maj nuk ishte bërë kurrë miting më parë. Ndaj duhen profesorët në çadër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje