UEFA: S’ka rrezik për sulme terroriste për finalen e Europa League

23 Maj 2017, 13:42Sport TEMA

UEFA ka njoftuar rreth masave të sigurisë në lidhje me finalen e Evropa Ligës, që do të zhvillohet nesër, pas një shpërthimi që vrau 22 persona mbrëmë në Manchester.

UEFA ka thënë se nuk ka informacione nga shërbimet inteligjence që sugjerojnë se finalja e Evropa Ligës mund të jetë objektiv i sulmeve pas incidentit të së hënës mbrëma në Manchester.

“Momentalisht nuk ka ndonjë informacion specifik të shërbimeve të inteligjencës që mund të sugjerojë se ndonjë nga aktivitetet e finales së Evropa Ligës në Stokholm mund të jenë cak i sulmeve.

UEFA është duke punuar nga afër me autoritetet lokale dhe Federatën e Futbollit të Suedisë prej disa muajsh, ndërsa rreziku për sulme terroriste është marrë në konsideratë që prej fillimit të projektit. Për më tepër, një numër i masave shtesë janë zbatuar pas sulmit në Stokholm prillin e kaluar. Për shkak të aranzhimeve të rrepta të sigurisë, UEFA u bën thirrje tifozëve që të mbërrijnë në stadium sa më herët që është e mundur, për shkak se do të ketë kontrolle të detajuara në hyrje, që do të rezultojë në vonesa të mundshme gjatë hyrjes në stadium”, thuhet në komunikatën për shtyp të UEFA-s.

Rreth 22 persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosen, përfshirë fëmijë, në shpërthimin që ndodhi në fund të koncertit në “Manchester Arena”, mbrëmë rreth orës 22.33, ka njoftuar Policia e Manchesterit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje