Kunati njofton heqjen e dy gishtave si simbol të PD

18 Qershor 2017, 21:00Antena TEMA

Në gjithë zyrat elektorale në Shqipëri, Kunati ka shpërndarë me urgjencë, një poster 50×70, ku është fotografia e Lulit me Trumpin, me gishtin e madh ngritur lart.

Kjo ka hutuar shumë demokratët në gjithë rrethet, të cilët janë gëzuar për foton, por janë të çuditur nga simboli i ri i PD.

Për këtë, Kunati ka bërë një sqarim me shkrim për çdo shtab elektoral.

“Të dashur luftëtarë të Republikës së Re.

Po ju dërgoj posterin që është foto e Lulit me Presidentin Trump, për ta ngjitur në çdo furgon dhe makinë të fushatës elektorale.

E di që ka shumë reagime për simbolin që Luli ka promovuar në këtë foto.

Ju njoftoj, se tani e tutje, nuk do jenë më 2 gishtat simboli i PD. Gjatë Marrëveshjes Rama-Basha, Luli ra dakord që ato i përkisnin Republikës së vjetër dhe ia fali Ramës. Po ta keni vënë re, dhe në thirrjen që bën për votim, Rama thotë “Votoni numrin 2” dhe në vend të dyshit, ka vënë dy gishtat tanë.

Kjo është pjesë e Marrëveshjes.

Luli ka gjetur më në fund simbolet e Republikës së re, që është gishti i madh, i dorës së djathtë, i ngritur lart.

E di që në shumë vende në Shqipëri, ai ka kuptim të keq, pasi pleqtë e kanë pas përdorur kundër dikujt, kur i tregonin se nuk do marrë gjë dhe duke tundur gishtin e madh thoshin: “Hip këtu shiko Stambollë”.

Por ju duhet të kuptoni qartë rrethanat.

Ai është simbol i Trumpit si biznesmen, dhe në pritjen që ishte Luli ishte si biznesmen, Trumpi i tha:

-Unë kam ndërtuar kullat “Trump” dhe kazinot gjigande në Atlantic City. Ti çfarë ke ndërtuar si biznesmen.

-Kam ndërtuar një rrugë 60 km, i tha Luli.

-Sa ke fituar,- e pyeti Trumpi?

-220 milion dollar,- i tha Luli.

-Bravo, -i tha Trumpi. Qenke më efiçent se unë. Kurrë nuk do t’i fitoja aq shumë, në aq pak rrugë. Dhe pastaj ngriti gishtin e madh të dorës së djathtë lart.

E ngriti dhe Luli.

Tani kjo është foto e Republikës së re dhe simbol i Republikës së re.

Ju lutem harrojini dy gishtat. Tani kemi gishtin e madh lart.  Ky është simboli ynë.

 

1 komente në “Kunati njofton heqjen e dy gishtave si simbol të PD”

  1. Baxhanaku says:

    Je gjigand dhe me fantazi ekstreme……
    Sidoqoftë fjalën e kam për Kunatin e Lulit, jo për Meron.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje