Pas këshillave që Lulit i dha një fëmijë në Zvezdë të Devollit, se çfarë duhet t’i thoshte në takim presidentit Trump, Kunatit i kanë vërshuar një tufë letrash, ku i sugjerojnë se çfarë duhet t’i thotë ai presidentit Trump.
Në një letër nga Shkodra, thuhet:
“I dashtun Lul.
Kur ta takosh Trumpin, du me i bë të ditun hallin tem.
Unë e kam një biçikël tip Mifa 28, nuk di a më kupton, është një tip i vjetër, e kam pas kur kam pas punu tek Duhan – Cigarja.
Në atë kohë kena pas shumë gomisterë biçikletash në Shkodër dhe ka kenë një tip pipthi, që ishte i përshtatshëm për pompat e asaj kohe.
Me ardhjen e demokracisë kanë humb krejt gomistat.
Kur erdhën këta socialistët në pushtet, u rrejtëm se menduam që do t’i kthenin gomistat, meqë janë nostalgjikë të diktaturës, por dhe këta na rrejtën.
Pash zotin thuj si rregullohet kjo punë, kur ta takosh.
Ene bëji të fala.”
Një tjetër letër nga Laçi i drejtohet Lulit:
“E mora vesh që ke me taku presidentin Trump.
Të lutem shprehi atij shqetësimin tonë.
Në këtë rrugën Laç- Fushë-Krujë ndodhin shumë aksidente, pasi rruga është e ngushtë dhe ka shumë dalje për anash.
Këta socialistët nuk na i kanë mbyll këto daljet dhe kena shumë aksidente.
Plus që shoferët e rretheve të tjera, sillen si me kenë rruga e tyre dhe nuk na hapin rrugën, kur kalojmë.
Duam një rrugëzgjidhje për këtë çështje, pasi me këtë qeveri nuk shtyhet”
Një qyetar nga Kruja i shkruan:
“I dashur Luli. Thuaji pak presidentit Trump të mos merret me atë shefin e FBI që llap kundër tij, por t’ia bëjë dhe këtij shefit të policisë së Fushë Krujës si atij, ta heqë nga puna, pasi sa herë duam me i marr ndonjë lek këtyre të fabrikës së çimentos, ai na sjell furgonat tek shtëpia.
Këta duan me u bë zot në vendin tonë.
Thuj presidentit Trump ke mbështetjen e Krujës dhe Fushë-Krujës kundër atij të FBI, por mos të harrojë problemin tonë.
Thuj dhe presidentit Bush, që ja kemi gjet orën që i ka humb, se ja kishin vjedh disa skifterë nga Laçi dhe e kishin shit për 300 euro, se kishin harru ku e kishin vjedh”
Po letra më interesante ishte ajo e një vlonjati:
“O zoti Luli. Po mirë mo që do ta takosh këtë Trumpin, po si do vej halli i ne demokratëve, me këtë Trumpin që na ke sjell deputet në Vlorë.
Ky thotë unë kam investuar për deputet, pasi kam paguar lekë për deputet tek Kunati.
Pyete një herë Trumpin si bëhet në këto raste, se ai merr vesh dhe nga paraja, dhe nga pushteti.”
Letrat vazhdojnë dhe pasyqrojnë problemet reale që Trumpi duhet të zgjidhë për Shqipërinë, kur ta takojë Luli.
Në varësi të letrave të tjera do caktohet dhe data e takimit!