Kunati rishkruan biografinë e Lulit për “Republikën e Re”

7 Qershor 2017, 19:50Antena TEMA

Një nga akuzat që i bëhet Lulit, si ideator i Republikës së re, është fakti që ai i përket Republikës së vjetër dhe ka prej vitit 2005 në pushtet.

Për këtë, Kunati ka përfunduar dhe po nxjerrë në shtyp, biografinë e re të Lulit, e cila bazohet mbi fakte të panjohura për publikun më parë, dhe që ka të bëjë me rolin historik të Lulit, në historinë e Shqipërisë.

Sipas biografisë së re të Lulit, ai ka ndikim vetëm në disa ngjarje madhore të qeverisjes nga vitit 2005. Të tjerat i përkasin Doktorit.

Siç e tha dhe në emisionin “Opinion”, Luli ka merita për Rrugën Rrëshen-Kukës, për liberalizimin e vizave, për futjen e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e statusit, si vend kandidat për Bashkimin Evropian.

Këto arritje të mëdha të Shqipërisë, janë caktuar si merita të Lulit dhe si piketa të tij për Republikën e re. Në biografi, Kunati ka bërë një distancim të plotë të Lulit nga shitja e detit, vrasjet më 21 janar, historia e Gërdecit, vjedhja e votave në Bashkinë e Tiranës, korrupsioni në “Rrugën e Kombit”, dhe ngjarje të tjera të shëmtuara.

Pas kësaj ia dha Doktorit biografinë për t’i bërë një hyrje. Pasi e lexoi Doktori shkruajti:

“Në vitin 2005, kisha një ëndërr. Të gjeja një djalë të bukur, të gjatë, të pashëm, dhe të qeshur pasi nuk kisha kujt t’i jepja meritat për disa vepra madhore që kisha ndërmend të bëja. Populli shqiptar ishte shumë i mërzitur me mua dhe nuk më besonte që mund të bëja gjëra të mira.

Në ndihmë më erdhi ime bijë, e cila më tha se kam një shok në Kosovë me këto tipare që e përshkruan ti. Ma solli në zyrë dhe mu duk njeriu i duhur.

I thashë dëgjo këtu mor djalë. Unë kam që nga viti 1990, që po sundoj shqiptarët. Kam bërë plot të mira dhe të këqija, por shumica më kanë inat. Më duhesh, pasi dua të bëj disa vepra të mëdha dhe nuk kam kujt t’ia jap meritat.

Ai më dëgjoi i buzëqeshur.

Do bëjmë “Rrugën e Kombit”,- i thashë, pastaj do futemi në NATO, pastaj do heqim vizat dhe në fund do na pranojnë si vend kandidat për anëtar në BE. A je i gatshëm ti marrësh përsipër?

-Po më,- tha i buzëqeshur. Jam gati të marr gjithçka përsipër që ka të bëjë me të mirën tuaj.

Dhe ashtu bëri. Sot kur lexoj këtë biografi, e shikoj që ëndrra ime është bërë realitet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje