Kunati shpjegon dy pikat e forta të programit, shkollat me drekë dhe gjuetinë

16 Qershor 2017, 20:30Antena TEMA

Luli ka bërë shumë përshtypje në këtë fushatë, që përveçse mban në dorë foton me Trumpin, ai ka dy premtime të mëdha.

E para është që shkollat dhe kopshtet do jenë të gjitha me drekë dhe do t’i paguajë shteti, dhe e dyta, që do lejohet gjuetia.

Kjo ka ngjallur shumë interes, pasi këto dy pika nuk i ka askush në programet e partive.

Për këtë, Kunati ka bërë dhe një sqarim publik:

“Pika e parë, shkruan ai, ka shumë rëndësi.

Ne do jemi në opozitë, do jemi të zënë gjithë ditën me halle njerëzish dhe nuk mund të rrijmë të gatuajmë dhe për fëmijët në shtëpi.

Plus, fëmijët e Lulit kanë jetuar në Hollandë dhe aty janë kopshtet me drekë.

Ata nuk janë mësuar të hanë në shtëpi.

Mamaja e tyre po ashtu, nuk para gatuan.

Kështu që duke u nisur nga një hall personal dhe familjar, Luli ka arritur të ketë një vizion të qartë, për gjithë fëmijët e Shqipërisë.

Nëse fëmijët kanë drekë në shkollë, do shpëtojmë nga shumë halle të vogla gjatë ditës.

Ju lutem vlerësojeni pozitivisht këtë.

Mendoj se kjo pikë duhet të realizohet dhe nëse nuk jemi në qeveri.

Do t’i lutemi Ramës ta adaptojë si pikë programi.

Për pikën e dytë me thënë të drejtën këmbënguli Ristani.

Ai thotë se nuk kemi me se e shtyjmë katër vjet në opozitë.

Këtu policia të ndalon për alkool në rrugë dhe të heq patentën.

Në hotele s’ke ku shkon, se nuk ka hotele të mira.

Jashtë shtetit nuk ikim dot, se po na mbarojnë lekët.

E vetmja zgjidhje e drejtë, do ishte të lejohej gjuetia, të paktën të shtynim kohën me të.

Plus kësaj, me këtë rast dhe armët shtoheshin pak dhe në rast revolucioni do ishim më të armatosur.

Ndaj të dyja këto pika që duken si të çuditshme, kanë shumë rëndësi.

Ky është një program real, që është nxjerrë nga hallet tona familjare dhe jo si ato programet bosh të Ramës.

Shpresojmë që qeveria pas 25 qershorit t’i vërë në zbatim, edhe pse janë idetë tona”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje