Vota për reformat, votë për BE˗në

21 Qershor 2017, 23:43Blog TEMA
Vota për reformat, votë për BE˗në

Gjovalin Kola

Qytetarët shqiptarë do të votojnë të dielën për parlamentin dhe qeverinë e re. Politikanë dhe analistë të ndryshëm, si dhe kryetari i KQZ˗së, Klement Zguri, janë shprehur se fushata e këtyre zgjedhjeve ka qenë përgjithësisht e qetë, ˗ me përjashtim të disa rasteve të izoluara ˗ e ekuilibruar dhe transparente. Falë marrëveshjes Rama˗Basha, si asnjëherë tjetër, punonjësit e administratës janë ndaluar të përfshihen në fushatë në orarin e punës. Ministrat teknikë kanë ndëshkuar ata funksionarë e nëpunës që kanë shkelur ligjin. Po kështu është parandaluar shpërdorimi i buxhetit, tenderat elektoralistë si dhe ndikimi mbi votuesit me anë të favoreve e punësimeve të paligjshme në administratë apo sektorë të tjerë të shtetit. Kjo do të thotë se kriteri politik për sa i përket procesit para votimit të 25 qershorit mund të marrë një vlerësim pozitiv nga OSBE/ODIHR˗i dhe vëzhguesit e BE˗së. Nëse votimi, numërimi dhe shpallja e rezultateve bëhet në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor, këto zgjedhje pritet të plotësojnë standardet e kërkuara e të kenë ndikim në çeljen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Por këto zgjedhje dallojnë nga të mëparshmet edhe për sa i përket efektit të tyre në politikën e brendshme të vendit. Rezultatet e votimit mund të përcaktojnë jo vetëm drejtimin e zhvillimit për katër vjetët e ardhshme, por edhe ritmin e tij. Duke u nisur nga programet dhe premtimet e partive kryesore në garë, PS, PD e LSI, mund të parashikohen prirjet, pritshmëritë dhe qëllimet e votuesve të tyre. Vëzhguesit kanë vënë re në këtë fushatë një dallim të dukshëm midis programeve të PS˗së, e cila ka qeverisur që nga viti 2013 në koalicion me LSI˗në, dhe atyre të PD˗së dhe LSI˗së, nga ana tjetër. Nëse që të tria kanë të përbashkët ekonominë, rritjen e prodhimit vendas, të investimeve të huaja, punësimin, uljen e taksave, luftën kundër varfërisë etj, PS˗ja ka lënë të kuptohet qartë ˗ edhe nga fjalimet e Kryeministrit Edi Rama në takimet me zgjedhësit ˗ se vendimtare në programin e saj janë vazhdimi dhe zbatimi i reformave: ato për ekonominë dhe shtetin ligjor (drejtësinë, administratën etj). Megjithëse PD e LSI e votuan, më në fund, reformën për drejtësinë, faktet tregojnë se që të dyja janë përpjekur ta pengojnë atë, në forma të ndryshme. PD˗ja është shprehur hapur kundër, me pretendimin se me të “Rama po fut në dorë sistemin gjyqësor ”, kurse “mosmarrëveshjet me LSI˗në kanë nisur, para dy vjetësh, pikërisht për shkak të reformës në drejtësi,” është shprehur këto ditë Rama para zgjedhwsve, duke lënë të kuptohet se kjo e fundit i ka vënë gurë në rrota këtij procesi të nisur prej PS˗së.

Pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme politike të këtyre partive ndaj reformave dhe luftës kundër korrupsionit në drejtësi e administratë, shumë njerëz janë bërë tashmë të vetëdijshëm se çfarë nuk shkon mirë e duhet të ndryshojë pas këtyre zgjedhjeve. Reformat për transformimin dhe modernizimin e vendit janë të domosdoshme për qytetarët shqiptarë, në radhë të parë, për një jetë më të mirë e të denjë për ta. Mirëpo, vetëm një vend i zhvilluar ekonomisht, me shtet ligjor e standarde demokratike është i denjë për integrimin evropian. Në dokumentin e BE˗së për vendet kandidate, për Shqipërinë thuhet se “ajo duhet të arrijë më shumë rezultate në pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, duke përfshirë zbatimin e ligjeve mbi reformën e sistemit të drejtësisë të aprovuar kohët e fundit, me qëllim që të çelen negociatat e pranimit.” Pra, vota për reformat, është votë për ndryshimin, pra edhe për pranimin më të shpejtë e të sigurt të Shqipërisë në komunitetin e vendeve të zhvilluara e demokratike të Evropës.

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje