Frika nga militantët e partive dhe një mësim nga Frojdi

22 Qershor 2017, 12:03Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Në një perceptim publik votimet në Shqipëri nuk janë aq shpresë dhe zgjidhje mbarëpopullore për të zgjedhur njerëzit që do të drejtojnë vendin, sa thjesht zgjidhje ekuilibrash militantësh. Kjo shpjegon në një farë mënyre që liderët shqiptarë në retorikën e tyre nuk përdorin fjalë që t’i bëjnë njerëzit të mendojnë për të zgjedhur, por thjesht të trandin militantët me fytyrat e ekzaltuara që thithin deri çdo grimë budallallëku, që u drejtohet. Frika që pason zgjedhësin e thjeshtë e tejkalon atë vetë, ajo kaplon të gjithë masën, që do të arsyetojë dhe nuk i jepet hapësirë prej agresivitetit të militantëve.

Po çfarë i bën vallë militantët që t’i ndjekin pa asnjë logjikë liderat e PS-së, PD-së, LSI-së etj.? Janë dy arsye, mundohen të zbardhin disi studimet sociologjike. E para lidhet me anën racionale dhe e dyta ka si logjikë anën irracionale. E para lidhet me ndërgjegjen pragmatiste dhe ka të bëjë me fashën e militantëve që e lidhin përkatësinë e djathtë me PD-në dhe derivatet e saj kurse të majtët që e lidhin ekzistencën me PS-në dhe LSI-në.

Këta janë edhe më të lexueshmit dhe më të parashikueshmit, sepse përkatësinë e tyre e lidhin me vendin e punës, fuqinë e pozitës, beneficet më së shumti të pamerituara, por edhe frikën nga humbja e kësaj lidhje të thellë. Kurse i çuditshëm mbetet për studiuesit sensi irracional, që gjendet krejt jashtë ndërgjegjësimit dhe kuptohet atje ku nuk mund të kemi aftësi për të kontrolluar. Mikael Makobi, një sociolog i njohur në këtë lëmë, beson se këto motivime lindin nga imazhet dhe emocionet e fuqishme në pavetëdije që ne i projektojmë mbi marrëdhëniet tona me udhëheqësit.

Po pse vallë Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulëzim Basha ngjallin sërish tek një publik që e kanë gënjyer paq?! Si ndodh që çka mbetur prej masës që e kanë braktisur vendin në dy vitet e fundit masivisht drejt Gjermanisë dhe Austrisë, apo dhe që aplikojnë gjithnjë e më shumë për Green Card, vazhdojnë e besojnë? Artikullshkrues të ndryshëm rendisin pafund arsye, ku sipas interesave politike vërejnë aftësinë e liderave tanë, fuqinë e tyre mbi militantët apo dhe sugjestionimin…dhe timonin edhe këtë herë.

Në arsyetimin tonë, sociologu Makobi solli në këtë rast rastin e Sigmund Frojdit, themeluesit të psikoanalizës, që ishte i pari i cili hodhi dritë në faktin sesi motivohet pavetëdija e ndjekësit (Lexo në rastin tonë militantit) drejt liderit. Duke punuar në laboratorin e tij të psikoanalizës, Frojdi u kërshërua shumë të kuptojë sensin pse sa më shumë kalonin seancat e tij me pacientët, aq më shumë ata binin në dashuri me të!

Sot, kjo lëmë e diturisë i detyrohet shumë Frojdit për atë që do të arrinte në konkluzion nga ky fenomen pak kohë më vonë: Idealizimi i tij nga pacientët nuk vinte prej cilësive të rralla që ai kishte shfaqur në seanca, porse ai provoi se njerëzit ishin të lidhur me të, ngaqë e identifikonin me një nga njerëzit e tij të së shkuarës, zakonisht prindin ose një të afërt. Me kalimin e terapisë ose në adhurimin e tyre (kalonte deri në dashuri), njerëzit i transferonin (shtegtonin) eksperiencat dhe emocionet nga e shkuara e tyre në të tashmen. Këtu na vjen në ndihmë sërish Makobi: Frojdi pati meritën sepse kuptoi që fenomeni ishte universal: Nuk ka dashuri që nuk riprodhon sterotipet fëminore.

Frojd e quajti fenomenin “shtegtim” dinamik dhe për psikoanalizën është një nga zbulimet e tij më të mëdha. Ajo që do rridhte më vonë u bë kanonike. Frojdi ua ndërpriste terapinë pacientëve  të tij kur ata arrinin të kuptonin dhe ia dilnin të zotëronin pozitivisht shtegtimin e tyre. Por edhe sot, të mos harrojmë, thotë Makobi se identifikimi dhe zgjidhja e shtegtimeve mbeten qëllimet kryesore të psikoanalizës, pasi shtegtimet pozitive pjellin suksese kurse ata negative trauma. Nga ato që shqiptarët i mbartin në kalvarin e tyre…

Ashtu si është e pamundur që publiku shqiptar të mos jetë i njohur me këtë zbulim, ashtu duket e pamundur që të trajtohet masivisht pjesa militante, që sjell qartë se ka remineshenca shumë të mëdha nga e kaluara komuniste sa i përket adhurimit pa kushte të liderit. Në vitet e demokracisë, paçka fashave demografike, ajo arriti në një apoteozë të njëjtë si në komunizëm, me idhujtarinë e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos, Edi Ramës. E habitshme se pjesa e djathtë por edhe e majtë është gjithnjë e më e prekur dhe pa e shëruar nga shtegtimi negativ.

Nuk harrohet kurrë fjala e asaj militantes së gjorë, që thoshte dikur se edhe pa bukë rrimë vetëm që Nano dhe Meta të mos ziheshin! Në fakt, ky mbetet edhe aspekti tjetër që zgjidhën psikoanalistët dhe që lidhej me ndryshimin në mes të shtegtimit negativ dhe atij pozitiv. Militantët tanë e kanë të pamundur të ndahen me shtegtimin negativ, quravitjen dhe brohoritjen pa asnjë sens, ndërsa e kanë të vështirë shtegtimin pozitiv, që t’u shkonin pas dhe të mbështesnin figura që bënin diferenca nga artikulimet logjike. Të duket se në një aspekt, patologjinë shqiptare të militantizmit politik  dhe këtë lloj shtegtimi dhe Frojdi vetë nuk do ta zgjidhte dot aq lehtë. Kjo panjohje e fenomenit duket se i bën kaq të frikshëm militantët tanë në zgjedhjet e 25 Qershorit, që për 27 vjet nuk po bëhen zgjidhje për njerëzit. (Javanews)

4 komente në “Frika nga militantët e partive dhe një mësim nga Frojdi”

  1. ILIRET says:

    Lidhet perkatesia e djathte me PD-ne? Pa shko neper fshatra dhe lagjet periferike te qyteteve, i nderuar zoteri. Perkatesia qe anon pak djathtas jane me PS.ne. Ata qe kane nje nivel te garantuar jetese, jane me PS-ne. Shumica e njerezve te arsimuar jane me PS-ne. Ata qe i kane derguar femijet ne shkolla prestigjoze brenda dhe jashte vendit, jane me PS-ne.
    Ndersa bythegrisurit, pabuksit, ata me shtepi qe i ze brenda, injorantet ( te pashkolluarit), ata qe ruajne delet, te gjithe keta qe si shtrese jane te majte, jane me PD-ne.
    Ec dhe bej shtreshezim sipas perkatesise sociale, po deshe.

  2. Skypion says:

    Kam folur ,qe ne 2013,per nje kategori analistesh te majte,perndryshe te njohur si te moderuar,qe aktivizohen si pandjere ne cdo fushate elektorale,per t’i dhene mbeshtetjen Partise Socialiste.
    Ne vitin 2013,ky soj analistesh u pat fokusuar tek nje “detaj”,por qe nuk mungonte asnjehere ne shkrimet e tyre.
    “Detaji” ishte ky : Sali Berisha ka lene ne harrese Jugun…!!!
    Ajo qe me pat skandalizuar atebote,qe fakti,se edhe gazetare apo analiste te majte,qe nuk me kishte vajtur mendja kurre se mund ta benin nje poshtersi te tille,megjithate e hodhen pisllekun.
    Kuptohet synimi: energjizimi i elektoratit socialist,me ane te percarjes krahinore.Ben Andoni ishte njeri nga keta.
    Meqenese,Lulzim Basha,nuk i ka lene askujt shteg qofte edhe per aludimin me te vogel krahinor,ky lloj gazetaresh dhe analistesh te majte,po eksperimentojne ne menyra te tjera ,per te bere propagande ne mbeshtetje te Partise Socialiste.
    Por,po e kane shume te veshtire.
    Kete veshtiresi,e jep qarte edhe shkrimi i mesiperm i Ben Andoni,qe i ben dhune barbare logjikes elementare.
    Me ligesine dhe skutherine qe karakterizon nje analist tipik qe mbeshtet socialistat,Ben Andoni,tinezisht fut ne fabulen e tij te pagjetur,mes Rames dhe Metes,edhe Bashen.
    Jo,zotni Andoni,mos e futni Bashen ne nje thes me Rama-Meten,per te ndertuar fabulen tuaj frojdiste!
    Basha nuk eshte politikani qe nxit militantizem e aq me pak te ngjalle idhujtari.
    Basha nuk eshte lideri qe ngjall adhurim.
    Basha,ne ndryshim nga gjithe lideret e tjere politike,duke filluar nga viti 1990 e deri sot ne 2017,eshte i vetmi qe nuk nxit ndjeshmerite primitive te turmes.
    Kjo eshte hera e pare qe po ndodh ne politiken shqiptare.Per shkak te Lulzim Bashes.Per shkak te shkollimit te tij ne Perendim,per shkak te edukates dhe kultures thelbesisht perendimore qe e karakterizon ate ,si individ,si politikan dhe si lider politik.
    Shkrimi juaj,zotni Andoni,do te kishte vleren e vet,nese ne fabulen mbi te cilen e keni ndertuar ate,te mos fusnit padrejtesisht dhe tinezisht edhe Lulzim Bashen.
    Po,mund te kishte vlere aq sa mund te kete nje shkrim me fabul calamane si ky i juaji,nese do te flisnit vetem per Edi Ramen dhe Ilir Meten.
    Tre jane lidieret politike, qe synojne pushtetin ne kete fushate: Basha,Rama dhe Meta.
    Dy jane lideret politike, qe po bejne fushate,ne stilin e vjeter,duke u fokusuar te energjizimi i turmave nepermjet nxitjes se instikeve te tyre me primitive.Keta jane Edi Rama dhe Ilir Meta.
    Nje eshte lideri politik, qe po ben nje fushate totalisht ne stil europianist,perendimor,per te cilin energjizimi i turmes nepermjet duke stimuluar instiktet e saj,eshte krejtesisht i huaj.
    Ndersa Rama-Meta i kane perqendruar te gjitha forcat dhe gjithe energjine ne ndersimin e turmave respektive,deri ne kacafytje fizike me njera tjetren – krejt e kunderta po ndodh me Bashen,i cili te gjitha forcat dhe energjine e ka te fokusuar tek programi,tek oferta ekonomike, tek idete politike,tek zotimet sociale.
    Gjithashtu,eshte perpjekje e kote dhe hile e shkuar kot,te permendesh edhe figura te tjera politike,qe nuk jane protagoniste me kete fushate elektorale,Berisha apo Nano.
    E thame,tre jane protagonistet kryesore: Basha,Rama dhe Meta.
    Basha,nuk ka asnje lidhje me fabulen tuaj frojdiste.As edhe njecke.
    Rama dhe Meta,po;kane shume.Ata jane vete lidhja.
    Apo edhe Basha eshte njesoj ( i keq) si Rama-Meta… kete ke dashur te thuash zotrote?!!
    Keshtu pra,keni rene aq poshte ne humbetiren e demagogjise,sa i vetmi argument qe mund te arrini te kapni,eshte banalizimi i se keqes… te gjithe njesoj jane!

  3. zi says:

    Ne shqiperi shumica e njerezve jane paciente,
    elita dhe politikanet, paciente te cmendur.
    Keshtu qe ,analiza e jote per vetedije e pa te, ndergjegje dhe humbje ne te,
    te semure e te shendetshem,te idhuar apo jo, ndjekes apo te ndjekur
    shkurt, me timon pa timon,
    bie poshte,pra ska llogjike.
    Sepse, ne nje spital te stermadh ku edhe ata qe sherbejne jane te semure,
    smund te nxjeresh konkluzione.

  4. shoku says:

    Skypion, qe nuk te mungon aftesia e te shprehurit, kjo duket, por dhe ti ama, qe ndonjehere komentet e tua i ke ne erë, (si ne kete rast) ben mu.
    Po te marr Bashen ( te jesh i bindur qe nuk kam gje me te dhe as me intereson shume se kush qeveris). Po ku ka shembull me unikal qe individ i shfaqur ” rastesish nga hiçi”, i pa provuar ( p.sh si Olldashi), i pa troturar ne ngjitjen e shkalleve te partise, ti dhurohen fitore ne tavoline nga i “madhi” dhe te na prezantohet si strateg, komandante i zoti ne “lufte”. Si mundet qe djalin e ” llastuar” ne politike, ti e ben ” liderin e çunave te lagjes”? Pse e merrni ne qafe ate dhe partine e tij? Dhe e fundit o miku im, mjafton te permend menyren se si e drejtoi ( ku per te paren here u vu ne prove se si qevesis) Tiranen per 4 vjet ( une nuk banoj aty), per te kuptuar se ç’lider ( fjale e madhe te per te ) eshte.
    Miku im: Fjala është i-ja, pika mbi të është puna, ajo i jep kuptim.
    Ah per kacafytjen p.s – lsi. Qe nga 2015 p.d “i kane rene protezat” se jo kacafytje, por te “merrnin shpirtin”. Dhe per çudi qe nga 2015 ato proteza te vjetra, te ndotura dhe me peshtyme te p.d i ka vene ne goje lsi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje