Berati, dy dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!

15 Gusht 2017, 19:25Sociale TEMA
Berati, dy dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!

Po mbushen përafërsisht dy dekada që Berati drejtohet nga e majta dhe, kryesisht, nga Partia Socialiste.

Ka qenë 1 tetori i vitit të largët 2000, ku si pasojë edhe e një inercie që vinte nga kriza e madhe e ’97-ës, beratasit u divorcuan me Partinë Demokratike, divorc që zgjati e po vazhdon nën ritmet e së njëjtës inerci, edhe përpos problemeve mjaft të mëdha që ka pasur marrëdhënia kontraktuale mes qytetarëve dhe drejtuesve të majtë të pushtetit lokal.

E fundit kryetare bashkie e PD-së, që beratasit kujtojnë nëpër jerm, ka qenë një zonjë e nderuar dhe fisnike, Milika Jaho (Vjeshta), lotët e së cilës gjatë dijegies së bashkisë Berat nga revolucionarët e vonuar të ’97-së janë ngulitur në memorien kolektive të atyre ditëve të zeza të qytetit të bardhë.

Brishtësia e një gruajeje, vitet e vështira dhe situata e përgjithshme politike e fundit të shekullit të 20-të në Shqipëri, nuk mund të çonin ndryshe vetëm se në një ndryshim të beftë dhe të gjatë të pushtetit lokal në Berat.

Beratasit edhe sot e kësaj dite kujtojnë se dëmi që i është shkaktuar qytetit në këto dy dekada, është i pakrahasueshëm dhe i pakonkurrueshëm me qeverisjen modeste dhe të shkurtër të zonjës Jaho, e cila, edhe pse vendi ishte duke kaluar momente dhe situata të ngjashme me ato të një lufte civile, ku shteti kishte rënë dhe, pothuajse, nuk ekzistonte, arriti të frenonte babëzinë dhe, me ato mundësi modeste që kishte, arriti të mos binte pre e presioneve për shkatërrim dhe tjetërsim infrastrukturor dhe historik të qytetit.

Nëse kur vjen fjala për pushtetin qendror dhe për problemet aktuale të qeverisjes së majtë, ende një pjesë e konsiderueshme njerëzish, vijojnë e thonë shprehjen e njohur dhe të stërvjetëruar “Po në kohën e PD-së, mos ishte më mirë?!”, argument ky që çdo populli i kulturuar dhe i civilizuar as nuk do ta shkonte ndër mend (edhe nëse ka të vërteta brenda asaj shprehjeje vota ndaj ekziston, për të dënuar keqqeverisjen dhe për t’i dhënë besim një alternative më të mirë), për pushtetin lokal në Berat nuk ka as justifikim e as argument.

Në 20 vjet Berati ka lënguar, ashtu siç vijon të lëngojë edhe në këto momente, ndërsa ne hedhim këto radhë në letër, si pasojë e një mentaliteti provincial dhe absurd i drejtuesve të tij gjatë dy dekadave.

Beratit i ka munguar, pikë së pari, dashuria e atyre që e kanë drejtuar. Asnjë nuk e ka trajtuar qytetin si pjesë të vetes dhe të afërt me të. E kanë parë atë si pronë, me të cilën mund të bësh çtë duash. Kuptohet, dëmi që i është shkaktuar është i pariparueshëm.

Përveç dashurisë, atyre i ka munguar përgjegjshmëria, që duhet të karakterizojë një drejtues lokal dhe, mbi të gjitha, vizioni për zhvillim infrastrukturor, kulturor, social, turistik etj.

Berati nga qyteti i qytetarëve është shndërruar në domenin e pushtetarëve, të cilët në 20 vjet nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë stimuluar hemoragji kolektive të largimit të njerëzve, gjë që rrezikon shndërrimin e Beratit në një qytet fantazmë në 20 vitet e ardhshme.

Berati rrezikon të bëhet një qytet pa rini. Të rinjtë nuk kthehen më në Berat. Kjo është drama e madhe e qytetit. Ata nuk kanë të ardhme në Berat. Një rini pa të ardhme është një rini e destinuar të vdesë. Kështu që ata përballen me dy alternativa: të rrinë në qytet e të vdesin nga pak çdo ditë, ose të largohen prej tij në kërkim të mundësive dhe të alternativave.

Bardhësinë e “Mangalemit” dhe të “Goricës” e ka zvetënuar arroganca e udhëheqësve autokrat, të cilët kanë abuzuar me besimin e një pjese të popullit dhe e kanë kalëruar këtë besim nën moton e mos nxjerrjes së qimes nga qulli dhe, sido që të veprojmë ne, ky popull sërish do të na zgjedhë.

Në qytet ka munguar bashkëbisedimi i hapur dhe i sinqertë me qytetarët. Pushtetarët kanë qenë të vuvët, shurdhëmemecë, duke mos dhënë llogari për asnjë gjë. Ata nuk kanë dhënë e nuk e çojnë nëpër mend të japin llogari për taksat e larta, për investimet problematike dhe të cunguara, për prioritetet e qytetit, ashtu siç nuk kanë dhënë llogari në këto ditë të nxehta vere për mungesën e ujit në rubinetat e çezmave të beratasve, ndërkohë që 2 vjet më parë u premtua ujë 24 orë. Dhe kur një zyrtar i lartë dhe përgjegjës për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit, deklaron publikisht se “çështja e ujit të pijshëm në qytet është më shumë psikologjike”, kjo jo vetëm që nuk i bën kujt përshtypje, por një deklaratë e tillë do të mjaftonte në çdo vend për t’u shkarkuar drejtuesi në fjalë, i cili e di mjaft mirë se në 24 orë qyteti furnizohet me ujë të pijshëm vetëm 1 orë në mëngjes.

Beratit në këto 20 vjet i ka munguar respketimi i trurit dhe shërbimi ndaj qytetarit është kthyer në shërbim ndaj vetes, tarafit apo grupit të ngushtë.

Dhuntia e udhëheqjes së këtyre viteve ka kaluar nga surretërit e ngrysur përmes shfryrjes dhe babëzisë dhe jo nga koka drejt zemrës.

Berati në krye të këtyre 20 viteve drejtim nga e majta duhet të kthehet në një qytet që Dashuria e Brishtësia t’i afrohen të mirës që do të Mbizotërojë mbi të Keqen, e cila duhet të rrudhet dhe duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Pakëz romantike dhe idealiste kjo qasje e fundit, mirëpo besimi dhe shpresa e një trupi të vdekur klinikisht, ashtu siç është sot në të vërtetë Berati, nuk mund të ripërtërihet dhe të kthet në jetë me metoda të tjera.

Duhet një forcë që do të gjenerojë besim dhe shpresë tek qytetarët, të cilët, edhe në mungesë të alternativave të besueshme për një kohë të gjatë, kanë bërë zgjedhje meskine dhe të vogla.

Por mos të harrojmë se një pjesë e madhe e votuesve në Berat, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, nuk dalin për të votuar. Akti i tyre është thellësisht moral dhe mjaft i qartë, për ata që kanë sy të lexojnë dhe vesh të dëgjojnë.

Ka një parim të pa shkruar jetësor, i cili buron nga e shenjta dhe mistikja, që thotë: “Çdo gjë kur plotësohet, fillon e pakësohet!” Kjo gjë, pikë së pari, ndodh me pushtetin. Pas plotësimit, vjen rënia. Ajo që duhet është alternativa, shpresa, besimi.

*Autori është anëtar i këshillit bashkiak të Beratit

3 komente në “Berati, dy dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!”

  1. pepja says:

    Zoteri, nuk ka me beratas qe te zgjedhin kryetar ndonje vajze apo djale, nga familje qytetare beratas, ka vetem te ardhur dhe ata zgjedhin fshatarin e tyre, se ju vjen mire, se eshte ” bir i tyre me gjysem opinge”.Pastaj mos harro Namir djali qe Pd ne berat te parin e listes kishte shokun tend Pollo, ” demokrat qe nga 1945″.

  2. nigo says:

    Ej, lu,ftetar i PD; thonii lufte civile ne 1997. Por nje pyetje kam; midis kujt u zhvillua kjo lufte civile? Veriu me Jugun, apo patrizanet e PD me te PS; apo shteti me popullin? Ne fakt qau kryetarja e PD se Beratit por ishte e vonuar, pasi qau pasi qau Saliu per Shqiperine. Cfare truri dhe zgjuarsie per te shkruar nje artikull tip Luli. Vini nga Kozmosi. Sa keq qe populli nuk Ju voton por rri ne shtepi. Qenke injorant, Natyrisht, prandaj te kane zgjedhur ne keshill Bashkiak. Njerez si ty i duhen Partise opozitare sot e mot.

  3. BABAGHYSHI says:

    Vetem komenti i “pepja” , do te mjaftonte per t`i dhene pergjigjen e kerkuar ketij djalit !
    Te majtit , nuk jane shenjtore , qe te bejne mrekullira , ndaj duhen zgjedhur njerezit e
    perkushtuar , sic po ndodh ne Tirane me E.Veliajn , apo ne Korce prej mjaft vitesh !
    Ju te Beratit , ngaterroni te majten , me LSI-ne , kete bande hajdutesh . qe ka per parim ,
    te parin dhe te fundit VJEDHJEN DHE MAKUTERINE , apo Genc Pollon , familje e cila
    historikisht ka qene dhe mbetet dora e fshehte e Grekut . Kur G.Pollua ishte minister
    famekeq i arsimit , ne Korce , maft shkolla fillonin me kushtrimin e hymnit
    kombetar grek , para fillimit te mesimit . Me kontributin e madh te G.Pollos , nje shkolle
    9-vjecare ne qytet iu muar oborri ku rreshtoheshin femijet , si dhe palestra , sepse atje ,
    rreth 300 vjet me pare , thuhej qe ishte varrosur nje dhespot ghrek , prane mitropolise
    se madhe . Sot , nxenesit e asaj shkolle , ne dimer e ne vere rreshtohen ne rrugen ku
    kalojne makinat , nen ankthin e rrezikut per jeten , kurse kisheza e vogel , perkrah
    mitropolise se madhe dhe ministrit kriminel , tallet me jeten e te ardhmen e femijeve !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje