Kodheli: Normaliteti i Shqipërisë duhet të jetë mbi dëshirat personale

31 Gusht 2017, 12:41Politika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi të enjten, në ceremoninë e dorëzimit të detyrës të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, se “normaliteti i Republikës së Shqipërisë duhet të jetë mbi dëshirat personale dhe sot po tregojmë se Shqipëria është një vend dinjitoz aleat i NATO-s”.

Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua sot ceremonia e dorëzimit të detyrës të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral brigade, Bardhyl Kollçaku. Pas nderimit të Himnit Kombëtar, ministrja Kodheli lexoi dekretin e Presidentit të Republikës, që me propozim të kryeministrit, dekreton Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollçaku, Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Ministrja e Mbrojtjes në fjalën e saj vlerësoi karrierën ushtarake të Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, ndërsa u ndal edhe te arritjet e shënuara gjatë këtyre 4 viteve në dikasterin e mbrojtjes. “Treguam në këto 4 vite që mund t’i modernizonim FA-të, të cilat morën pjesë në çdo mision dhe stërvitje të aleancës në tokë, det dhe ajër. 4 vite më parë, në këtë strukturë nuk vlente karriera, profesionalizmi dhe aftësitë, por vështrimi i ministrit ishte pothuajse mëse i mjaftueshëm për të pasur një karrierë. Ne gjetëm një situatë financiare të goditur nga borxhet e akumuluara prej vitesh dhe një bazë ligjore që i përkiste viteve 2003-2005. Ky ishte thelbi i realitetit ku ushtarakët përpiqeshin t’i mbijetonin sistemit dhe t’i shërbenin vendit”, tha Kodheli.

Sipas saj, megjithë përpjekjet e bëra gjatë këtyre 4 viteve, kishte edhe pengesa të qëllimshme. “Prej 10 muajsh, FA-të u lanë qëllimisht pa Shef Shtabi. Falënderoj kryeministrin Rama dhe Presidentin Metapër dekretimin e Gjeneral Kollçakut. Normaliteti i Republikës së Shqipërisë duhet të jetë mbi dëshirat personale dhe sot po tregojmë se ky vend është një vend dinjitoz aleat i NATO-s”, shtoi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj ajo e konsideroi drejtimin e ministrisë së Mbrojtjes si një eksperiencë unikale, ndërsa siguroi mbështetjen e vazhdueshme për ushtarakët e FA-së.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku tha se “zhvillimi i FA-së është një proces i vazhdueshëm në kuadër të konsolidimit dhe ecjes para të shtetit”. Ai siguroi se FA do të vazhdojë punën në arritjen e standardeve dhe kryerjen e detyrave përkrah vendeve aleate.

Duke shprehur mirënjohjen ndaj atyre që kontribuojnë në misionet paqeruajtëse, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku theksoi se prioritet i punës së tij është vijimi i përmirësimit të kuadrit ligjor dhe vazhdimi i projektit të modernizimit për rritjen e kapaciteteve operacionale të FA-së”. “Siguroj aleatët dhe partnerët tanë për vijimësinë e partneritetit që kemi patur deri tani”, shtoi ai.

Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku premtoi se “do të bëj ç’është e mundur dhe më të mirën për të përmbushur me sukses misionin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë , misionin kushtetues për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të tërësisë territoriale”.

1 komente në “Kodheli: Normaliteti i Shqipërisë duhet të jetë mbi dëshirat personale”

  1. Nordi says:

    Fjala e ministres është një turp… në 4 vjet nuk ka pasur asnjë zhvillim në FA.
    Asnjë projet modernizimi, asnjë premtim i mbajtur – kompresimi ushqimor ishte një tallje, asnjë akt korruptive i qeverisjes së PD nuk u finalizua pasi ishin të pa aftë t’i evidentimin, pagat e ushtarakëve më të ulta në administratën publike, korrupsioni ka arritur majat ku në qendër është “karkaleci i ushtrisë ” -Sekretari Përgjithshëm, gradime bëhen nga karkaleci dhe buburrecat e tjerë.
    Ky është “siksesi” 4 viteve. Turp.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje