Kunati shpjegon si mblodhi firmat e deputetëve kundër deputetit Rakipi

9 Tetor 2017, 18:47Antena TEMA

Javën që shkoi, PD depozitoi në Kuvend një kërkesë me nënshkrimet e disa deputetëve të PD, që kërkonin hetimin e deputetit Rakipi për të shkuarën e tij në Itali.

Ajo që ra në sy, ishte se nënshkrimet ishin dhënë nga disa deputetë që ishin miq të deputetit Rakipi.

Kjo gjë shkaktoi habi të madhe mes deputetëve që nuk kishin firmosur, por dhe mes atyre që kishin firmosur.

Edhe Doktori u çudit shumë, dhe për herë të parë deshi ta falenderonte vetë Kunatin.

-Ke ba një gja të madhe, i tha. Ke distancu gjithë ajkën e deputetëve të PD nga deputeti Rakipi. Të përshëndes!

-Faleminderit, i tha Kunati. Ishte e vështirë, por ja dola.

-Ke ba punë të madhe. Më thuaj, si ja arrite, se unë disa herë si kam bindur dot.

Bile dhe kur i ndodhi aksidenti me makinë, nuk gjenim dot deputetë t’i dilte kundër.

-E bëra bukur, tha Kunati.

Kisha peticionin kundër ligjit të plehrave që kishin firmosur këta deputetët.

Meqë ma kërkoi Luli me urgjencë këtë kërkesën, hoqa peticionin e ligjit kundër plehrave dhe ato firma deputetësh ja bashkangjita kërkesës për deputetin Rakipi.

Pas kësaj, ata u vunë para faktit të kryer.

-Kjo qenka e rrezikshme, tha Doktori. Se ata mund të reagojnë. As unë nuk ua kam bërë këtë.

-Nuk besoj, tha Kunati. Për këtë shkak e bëra.

Dua të shikoj, kush ka guxim t’i dalë përballë Lulit prej tyre.

Fakti që u mora firmat për tjetër gjë dhe ua përdora për tjetër gjë, tregon një gjë më të rëndësishme, që ata nuk kanë takat t’i dalin Lulit kundër.

-Qenka gjë e madhe shumë, tha Doktori. Na i ruaj ato firma se kemi dhe halle të tjera.

-Po po, tha Kunati. Kam llogaritur një peticion në mbrojtje të Harri Lenës, dhe t’i vëmë prapë këto firmat. Po ashtu po mendoj një peticion kundër TVSH në biznesin e vogël dhe kemi prapë këto firma.

Në të ardhmen po mendoj dhe një peticion pro grupit parlamentar të Fatmir Mediut.

-Gjë e madhe shumë, tha Doktori. Kjo nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.

-E bukura është se i testojmë a janë rebelë apo jo, tha Kunati. Kjo tregon që deri tani janë në rregull.

Lajmi u përhap gjithandej dhe të gjithë u njohën me shpikjen e Kunatit.

Ish- deputeti Ruli dukej më i gëzuar nga ky zhvillim.

-Shyqyr zotit që nuk jemi më deputetë, tha Ruli, se ndonjë ditë do shkonim të firmosnim që morëm rrogën dhe do shikonim që kishim firmosur t’ia falnim Kunatit, se është varfëruar nga prishja e pallatit në Vlorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje