Gjatë takimit të delegacionit të FMN me Lulin, në shumicën e bisedës, Luli u përqëndrua tek zgjedhjet dhe blerja e votave.
-Jemi shumë të shqetësuar për blerjen e votive, tha Luli.
Rritja ekonomike prej katër për qind që thotë Rama, vjen nga fakti se janë harxhuar lekë për blerjen e votave.
Blerja e votave ka krijuar një treg fallco financiar dhe njerëzit kanë pasur para në duar. Por e gjitha vjen nga blerja e votave…. Dhe vazhdoi fjalimin e tij.
-Kjo qenka interesante, i tha zyrtari i FMN. Por ne deshëm vizionin tuaj, për ekonominë.
-Ne nuk do blejmë vota, i tha Luli.
-Këtë e mora vesh, por çfarë do bëni tjetër?
-Nuk do blejmë vota, tha Luli prerë.
-Po përse nuk ankoheni në OSBE-ODHIR, pasi ata merren me vota, ne merremi me financa, i tha zyrtari.
-Me ata nuk dua të flas, tha Luli. Ata janë kundër nesh.
Pasi ndenjën dhe pak, zyrtarët e FMN u larguan.
Askush nuk dinte ta shpjegonte qëndrimin e Lulit.
Sidomos këtë faktin që ata kishin shkuar për financat, ai u fliste për zgjedhjet.
Njëri prej tyre u kujtua se dikur ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Financave, Ruli.
-Ta pyesim atë, tha, se ndoshta na e shpjegon.
E takuan ish- ministrin Ruli dhe ja shpjeguan gjithë bisedën.
-Nuk dimë si ta kuptojmë gjithë këtë, i thanë. Përse ai nuk shkon ankohet në OSBE, por ankohet në FMN për votat?
-S’di si t’ua shpjegoj, tha Ruli. Është një anektodë.
Dikujt i kishte humbur gruaja dhe sillej vërdallë nëpër qytet. Ditën e parë shkoi e kërkoi tek ndërmarrja pyjore.
-Mos më keni parë gruan, u tha?
-Jo, i thanë ata, po shko në polici.
-Jo, jo, tha burri, dhe vazhdoi.
Ditën e dytë shkoi e kërkoi në tregun e qytetit.
Kapte njerëz dhe i pyeste, mos i kanë parë gruan.
-Po shko kërkoje në polici, i thoshin njerëzit.
Ai nuk dëgjonte.
Ditën e tretë shkoi tek zjarrëfikëset.
-Më ka humbur gruaja, u tha, mos e keni parë gjë?
-Ja të lajmërojmë policinë menjëherë, thanë ata.
-Jo, jo, ju lutem, atyre mos u thoni, se ata ta gjejnë e ta kthejnë në shtëpi.
Edhe Luli ka hall se po të shkojë tek OSBE, mbaron punë me zgjedhjet.