Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka bërë publike qëndrimin e saj ndaj ankesave të Policisë së Elbasanit, se një makinë Audi, ka qëlluar makinën e policisë, ndërkohë që përpiqej të çante rrethimin.
Në një njoftimin e saj, Prokuroria thotë:
“Jemi të detyruar të informojmë opinionin publik, se Policia e Elbasanit ka në përbërje të saj njerëz frikacakë dhe pa guximin e duhur për të qenë polici elbasanllie.
Disa ditë më parë kemi marrë një ankim prej tyre, pasi makina e policisë ishte goditur nga një makinë Audi, e një biznesmeni.
Nga hetimet tona dhe kqyrja e sendeve të përplasura, vërejmë se të dy makinat, si ajo e policisë, ashtu dhe ajo e biznesmenit, pra makina Audi, janë dëmtuar njësoj, me gërvishtje të lehta.
Është turp për Policinë e Elbasanit të vendosë veten në pozita inferiore dhe të ankohet për gërvishtje të lehta.
Gërvishtje të tilla makinash mund të bëjë çdo grua që mëson për herë të parë makinën, apo çdo shofer i ri.
Nuk i ka hije Policisë së Elbasanit të trembet nga një gërvishtje kaq e lehtë.
Nga ana tjetër, duam të theksojmë se dhe biznesmeni që e kishte goditur, ishte dëmtuar më shumë se policia, por nuk është ankuar.
Në këto kushte, Prokuroria mendon se pretendimi i policisë për rrezik jete, është i ekzagjeruar dhe nuk qëndron.
Kjo kauzë rrëzohet dhe e vetmja gjë që mund të thuhet, është se ka pasur tentim për krisje të sinjalit të majtë, në pjesën pas të makinës së policisë, por dhe ai ka shpëtuar.
Në këto kushte, Prokuroria e shpall të pafajshëm shoferin që ka qëlluar makinën e policisë dhe i tërheq vërejtje policisë, që herë tjetër të mos bëjë alarme të kota, për goditje të tilla.
Policia jonë duhet të tregojë se është trime dhe guximtare, dhe jo një polici qaramane, që ankohet nga çdo goditje që nuk i rrezikon jetën.
Shpresojmë të jetë hera e fundit që na shqetësoni për gjëra të tilla”.