Kunati i shkruan Trumpit: Të lutem mos dil në foto me Ramën!

20 Shtator 2017, 19:27Antena TEMA

I nderuar President!

Ndoshta nuk më njihni nga afër, por unë jam Kunati i atij çunit gjatë, që ka shok atë biznesmenin nga Bostoni, që ka mik atë greko-amerikanin nga Uashingtoni, që ishte para disa muajsh atë mbrëmjen e bamirësisë që u bë. Ti ndoshta nuk e mban mend kush ishte Kunati im, se bëre shumë foto atë natë, por nëse të kujtohet është një i gjatë, i qeshur dhe trupdrejtë.

E kam fiksuar momentin kur dolët në foto, se ti nuk i dhe dorën dhe ne e morëm si incident, pastaj na shpjegoi ai shoku yt, biznesmen, që ne kishim paguar vetëm për të dalë në foto, pa i dhënë dorën. Me gjithë dorën, ishte 10 mijë dollarë më shumë. Ta dija i kisha dhënë dhe ato.

Kur dolëm nga darka, ne morëm avion direkt për Shqipëri se kishim fushatë. E shumëfishuam fotografinë, e vumë në furgona, në makina, në zyrat e partisë e kudo. Ti ishe hajmalia jonë në fushatë elektorale. Pa atë foto nuk e di çfarë do bënim në atë fushatë.

E vërteta është se humbëm thellë, por kur e mendoj, them se mund të kishim humbur dhe më thellë, po të mos ishte ajo foto.

Tani sot në OKB ka ardhur kryeministri. Edhe ai është i gjatë, po ndryshe nga Luli nuk është i qeshur, por nursëz. Është ai që ta ka sharë një vit më parë. Me siguri që puna e do të bësh dhe foto, por do të lutesha ti bësh një hile. Dil në foto, po mos ia dërgo, që të mos ketë mundësi ta tregojë këtu

Kjo do na lehtësonte të gjithëve, pasi kështu i bie vlera fotos që ke bërë me Lulin.

I vetmi shqetësim që kam, është se mos të gënjen e të thotë jam Luli, ai që dolëm një herë në foto në Qershor, ngaqë ti nuk e ke fiksuar Lulin. Rri vigjilent po të tha kështu, se është duke të gënjyer.

Me shpresë se nuk do ta dalësh në foto, shpresoj të kemi një bashkëpunim të ri në të ardhmen. Kontaktet do t’i ruajmë përmes një shokut tim që punon “doorman” në një ndërtesë në Uashington, ku banon një miku i tij që njef dajën e këtij biznesmenit që është shoku jot, i cili e informon atë sa herë ne duam të çojmë një mesazh tek ju. Kemi filluar mbledhim lekët që tani.

I yti Kunati!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje