Kunati bën disa variacione për fjalën “tradhëtar”

11 Shtator 2017, 19:45Antena TEMA

Meqë debati për votat pro Ruçit u bë shumë delikat, Kunati vendosi të bëjë një sqarim për të vendosur se kush do quhet tradhtar në PD, tani e tutje.

Për këtë, bëri disa konsulta me akademikë dhe filozofë, për të kuptuar në gjithë gjerësinë e saj fjalën tradhtar.

Ja disa sugjerime që i erdhën:

-Kuptimi më i rëndë i fjalës tradhtar është kur thua “tradhtar” i kombit. Kjo ka kuptimin kur ti shet sovranitetin e atdheut apo territorin e tij. Fjala vjen, “shitja e detit” Greqisë, ishte një tradhti ndaj kombit, I shkruan një akademik.

Kjo e tërboi Kunatin dhe e hoqi nga lista si përkufizim.

-Nuk të pyeti njeri për tradhti kombëtare, tha me vete.

Një tjetër i shkruan:

-I dashur Kunat. Në politikë, kuptimi I tradhtarit është ai që ndërron parti për interesa të tij. Fjala vjen, shembulli më kuptimplotë është tradhtari Kastriot Islami. Ai tradhtoi partinë e tij për një vend në parlament dhe u bë me PD. Kai mund të quhet pa frikë tradhtar politik.

Kunati e hoqi me shpejtësi dhe këtë.

Një tjetër filozof i njohur thotë se në politikë është tradhti dhe kompromisi me kundërshtarin, për interesa të tua. Fjala vjen, nëse ti i ke keq punët brenda partisë dhe je lider, ti bën kompromis me kundërshtarin kundër njerëzve të tu në parti, që të mos të të rrëzojnë. Si shembull është marrëveshja e 18 majit Rama-Basha.

Kunati e fshiu menjëherë dhe këtë përkufizim, i nervozuar.

Një tjetër rekomandim ishte për tradhtinë ndaj burrit dhe tradhtinë ndaj gruas:

-I dashur Kunat. Një gjë e rëndë është tradhtia ndaj burrit. Kjo, sidomos kur bëhet fjalë për burra autoritarë. Për shembull tradhtia e Lulit ndaj Doktorit kur bëri listën e deputetëve. Kjo është tradhti ndaj atij burrit.

Një tjetër shkruan se po kaq e rëndë është dhe tradhtia ndaj një gruaje. Si shembull jepte, fjala vjen, që Luli nuk i vuri Argitës burrin deputet.

Kunati u bë nervoz nga gjithë këto përkufizime dhe i hodhi në kosh.

-Edhe unë kam rrjedhur, tha me vete. Shkoj pyes këta. Këta janë të gjithë si Artan Fuga.

Dhe u ul e shkruajti vetë përkufizimin e tradhtisë politike, duke arritur në këtë përfundim:

“Tradhtia në politikë është kur bën marrëveshje me LSI. Ne ramë dakord të ishm të gjithë bashkë në séance, që mos të kuptoheshin votat për Gramozin. Ata ikën në minutat e fundit, na tradhtuan duke na lënë në baltë dhe zbuluar, pasi u muar vesh rezultati. Ja, kjo është tradhti”.

Me këtë përkufizim ra dakord dhe Salianji.

1 komente në “Kunati bën disa variacione për fjalën “tradhëtar””

  1. WebMaster USA says:

    hahahahahahaha, kjo e fundit ishte pikante por pa kripe ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje