Kunati realizon skemën e protestës: Nebili si Skënderbeu, Luli si Vrana Konti

9 Shtator 2017, 19:43Antena TEMA

Kunati kishte bërë një skemë perfekte të protestës ditën e hapjes së Parlamentit.

Për shkak të debateve pa bukë mbi Skënderbeun dhe baltosjen e tij, Kunati vendosi që me një gur të vrasë dy zogj.

Ai vendosi që skema e protestës të kishte dhe elementë historikë dhe bashkëkohorë.

Kështu, u vendos që Nebili të rrethojë Parlamentin nga jashtë dhe Luli të rezistojë nga brenda.

Gjithçka u përgatit me shumë kujdes, deri në detaje.

U bë kujdes dhe për karrigen ku do ulej Luli.

Në atë vend më parë ka pas qëndruar Astrit Bushati, një deputet që fliste me heshtjen e tij, dhe më pas ka qenë ish- deputetja seksi e Cërrikut, që fliste me bukurinë e saj.

Tani ishte Luli, ku kombinohet dhe bukuria, dhe oratoria.

Erdhi më në fund momenti i madh.

Filloi votimi.

Nebili filloi rrethimin e Parlamentit, por ishin gjithësej 7 vetë dhe nuk mjaftonin të rrethohej as rruga.

Atëhere thirri Lulin brenda dhe i tha të dërgonte përforcime nga jashtë.

Pas shumë përpjekjesh, erdhën dhe katër vetë.

Kur u bënë 11, nisi ofensiva.

Nga brenda nisi votimi.

LSI u largua nga votimi. Ngelej PS me PD.

Beteja ishte dhëmb për dhëmb.

Luli i bën shenjë Doktorit. Fillon votimi.

Nga jashtë Nebili vazhdon betejën me 11 heronjtë e tij.

U hap fjala nga Tit Vasili, që Gramozi u fsheh diku në kafen e Kuvendit, ishte veshur si grua, që në rast rreziku të dilte nga tuneli nëntokësor.

Hapet kutia e votimit.

Nga 74 deputetë të PS, Gramozi ka marrw 80 vota.

Doktori është i kënaqur. Luli po ashtu.

Deputetët e rinj shikojnë njëri- tjetrin.

Nebili nga jashtë jep kushtrimin se brenda ka tradhti.

Dyshimet bien mbi Kunatin, pasi është parë duke i raportuar babës që gjithçka është në rregull.

Nebili i zhgënjyer vërsulet mbi Kunatin dhe e kap për jake.

-Na tradhtuat, tha. Vutë interesat familjare mbi idealet antikomuniste. Më dhe fjalën që Luli do jetë si Vrana Konti, ai doli si Hamza Kastrioti.

-E ke gabim, i tha Kunati. Kjo është lojë. Luli me Doktorin ranë dakord vetë të votojnë pro Gramozit, se duan të zbulojnë dy armiq brenda PD-së.

Na duhet patjetër një shkak, ndaj e bënë.

Ke për të parë që do zbulojmë një grup tjetër armiqësor brenda nesh.

Më në fund po të vjen radha ty në PD, i tha Kunati.

Nebili u zbut, ju lëshuan duart nga jaka dhe iku.

-Ju e dini, tha, ne e bëmë tonën. Na the si Skënderbeu, ashtu bëmë. Më the që Luli do jetë si Vrana Konti, dakord thashë. Tani për Hamzain nuk kishim rënë dakord, por po është me leverdi, ok, s’ka problem.

2 komente në “Kunati realizon skemën e protestës: Nebili si Skënderbeu, Luli si Vrana Konti”

  1. Lili says:

    Ah ,e bukur kjo per hamzen .e hoqem edhe nje tradhtar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje