Kunati u jep lamtumirën ministrave teknikë

31 Gusht 2017, 20:24Antena TEMA

Sot Kunati mblodhi në një drekë ministrat teknikë meqë kanë javën e fundit në pushtet.

Në fjalimin solemn që përgatiti për ta lexuar Luli, ai shkruajti:

“Të dashur ministra!

Fillimisht dua t’u uroj për rekordin historik që keni arritur, pasi jeni të parët ministra në historinë e Shqipërisë, por druaj se dhe në atë botërore, që u bëtë pjesë e një qeverie kundërshtare, edhe pse ajo nuk i kishte humbur ende votat.

Ky është po ashtu dhe rekordi me i thellë që ndonjë politikan ka arritur në Shqipëri apo në botë.

Ishte merita e Lulit, ajo që i imponoi qeverisë Rama gjashtë ministra teknikë dhe një sërë agjencish të rëndësishme, në tre muajt e fundit të pushtetit.

Do kishim kapur pesë muaj në fakt, por dy muaj na la kot në çadër duke mos përfillur kërkesat.

Tani kjo praktikë do të konsolidohet dhe do të përsëritet në çdo dy vjet.

Ju do të jeni praktikisht ministra nga gjashtë muaj në çdo dy vjet, duke mbajtur në një farë mënyre në formë PD-në në pritje të pushtetit të saj.

Tani më lejoni t’iu uroj për sukseset tuaja.

Do ta filloj me zonjën Karabushja.

Ministrja Karabushja ka thyer rekordin e saj si ministre, pasi për tre muaj arriti të lërë pa deftesa, pa tekste shkollore dhe pa akreditim shumicën e shkollave në vend.

Mekanizmi që ajo përdori ishte i shkëlqyer.

Ajo nuk ju përkul kurrë procedurës dhe ligjit që të firmoste në krah të sekretarit të Përgjithshëm dhe ja arriti qëllimit.

Sot ajo ka mbështetjen tonë të fortë për atë që ka bërë.

Më pas vjen zëvendëskryeminstrja, e cila arriti të shmangë takimin me Edi Ramën për tre muaj rresht, duke rezistuar si qëndrestare e vërtetë.

Më pas vjen ministrja e Financave, e cila arriti objektivin tonë për të shkatërruar armikun duke ulur të ardhurat në buxhet me mbi dhjetë për qind.

Një falenderim të veçantë kemi për ministren e Punës, e cila nuk i la pasardhësit asnjë tender për të firmosur, pasi i kreu në kohë rekord, aq sa Edi Rama u detyrua të shkrijë Ministrinë.

Ministri i Drejtësisë po ashtu meriton përgëzimet tona, sidomos në përpjekjet që bëri për të rihapur tenderin e byzylykëve, ku paskësh qenë lek i madh.

Për Ministrin e Shëndetësisë kam vërejtje, pasi numri i vdekjeve mund të ishte dhe më i lartë, por me sa duket, nuk ka çfarë t’u bëjë mjekëve që e kanë instikt punën.

Sidoqoftë, në tërësi ju falenderoj për përkushtimin tuaj, pasi falë jush, PD hyri në zgjedhje, humbi, por aman Luli hyri menjëherë në zgjedhjet në parti dhe fitoi.

Me një fjali, misioni juaj duket sikur i ngjan asaj aksiomës së famshme, “operacioni përfundoi me sukses, pacienti vdiq”.

Por nuk është e vërtetë. Unë jam ende gjallë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje