Siç është zakon në Vlorë për djemtë që bëhen papritur të njohur, u vënë si mbiemer emrin e mamasë. Më klasiku nga politika është Dashi i Havasë.
Kështu e pësoi dhe Goni i Lulit.
Kur u shpall deputet në Vlorë në qershor të këtij viti, nuk e njihte njeri.
Siç e kanë zakon vlonjatët, pyetën si e ka emrin mamaja e këtij, por nuk e njihte njeri, se kishte ikur në Itali.
-Po ça mama, thua ti ore, atë e kemi peshqesh nga Luli, tha njëri.
Dhe i mbeti Goni i Lulit.
Dje, Goni i Lulit kishte dhënë një intervistë dhe kishte sulmuar gjithë deputetët e PD, që kishin hyrë në politikë të varfër dhe ishin bërë të pasur.
Pas kësaj, Kunati e thirri për një kafe.
-Dëgjo, i tha, herë tjetër kur të japësh intervistë, duhet të konsultohesh, që të të japim disa teza përse të flasësh.
-Jo, unë di të flas, tha Goni i Lulit. Për të gjithë ata që nuk më njohin, unë jam gati t’u prezantohem” “Jam Goni i Lulit në Vlorë… e kështu me radhë”.
-Dakord, por desha të të them, se kur erdhëm ne nga Holanda 12 vjet më parë, nuk është se ishim të pasur, por njeriu punon, ka arritje dhe bëhet i pasur.
Nuk do të thotë që unë e Luli erdhëm të varfër, vodhëm dhe u pasuruam, pasi bie në sy për keq.
-Jo, më vjen keq, tha Goni, nuk e kam për ju.
Po ja, pashë njërin me Range Rover, më thanë ky është nga Kukësi, s’ka pas as bukë, as punë, as shtëpi, para se të bëhej deputet.
-Ai është Flamuri, tha Kunati.
E vërtetë është, por dhe ai i ka fituar me djersë më pas.
Nuk është se ka abuzuar me detyrën. Ka marrë atë që i takon.
Ka bërë sakrificat e veta dhe ka qenë korrekt në ndarje të gjërave.
-Po ja, pashë dhe atë Ed Halimin me Benz luksoz, me lokale, me…
-Edhe ai është korrekt, tha Kunati.
Ka bërë detyrën e tij, nuk ka abuzuar, ndaj e respektojmë.
-Më vjen keq ta them, i tha Goni i Lulit, por dhe kjo nusja e Doktorit, që del në foto nga një hotel në tjetrin, është pak tepërim, se dhe ajo e varfër ka qenë….
-Mirë, po ajo ka goditur në burrë të pasur, s’kemi ça i kërkojmë llogari, tha Kunati.
-Po cilët kanë abuzuar, më thuaj, që ti godas, tha Goni i Lulit?
-Këta që nuk janë në lista kanë abuzuar, tha Kunati. Ndaj i kemi hequr.
Pasi verifikuam se ata nuk i kanë ndarë lekët në rregull, vendosëm t’i spastrojmë nga listat. Ky ka qenë kriteri kryesor.
Në këtë parti ka disa kritere që duhet të respektohen. Kush abuzon me detyrat dhe pushtetin dhe nuk i ndan lekët në rregull, largohet.
-E kuptova, tha Goni i Lulit. Faleminderit për besimin që keni treguar ndaj meje.
Unë ju betohem që i ndaj në rregull.
-S’ka nevojë, ti ke dhënë prova që në fillim, i tha Kunati, dhe i ra krahëve. Vazhdo, se je djalë i mirë.