Siç paralajmëroi në aktin e saj të dorëheqjes, ministrja Karabushi vuri disa kushte të forta për dorëheqjen.
Sot ajo ka konstatuar se asnjë nga kushtet e saj nuk është plotësuar, ndaj është dorëhequr nga dorëheqja:
“Më lejoni të bëj me dijeni se jap dorëheqje nga dorëheqja që kam dhënë dy ditë më parë, për shkak të mos plotësimit të kushteve që i vendosa qeverisë Rama.
Së pari, kam dy ditë që shkoj tek hoteli me pesë yje “Plaza” në qendër të Tiranës, për të pritur bashkëpunëtorët për mbledhjen e mëngjesit dhe jam gjendur në një situatë shumë fyese.
Pronarët e hotelit nuk më pranojnë dhe nuk denjojnë të më japin një sallë falas për mbledhjen e mëngjesit, edhe pse ua kam treguar kushtet që i kam vënë qeverisë për këtë shkak.
Ata thonë ose paguaj në dorë, ose dil jashtë.
Por ky veprim më duket i kombinuar me qeverinë, pasi, as stafi i ministrisë që unë thërras tek hoteli nuk vjen.
Dje dhe pardje ka ardhur vetëm shoferi im.
Kjo tregon se qeveria ka dorë në sabotimin e këtij akti.
Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm më ka prerë tollonat e naftës dhe shoferi im tani merr vetëm 30 litra në ditë nga 100 që merrte më parë, pasi i duhet ta mbajë makinën ndezur gjithë ditën para zyrës, me qëllim që të jetë e freksët nga kondicioneri kur të hipi.
Një tjetër arsye e rëndë përse po anullloj dorëheqjen, është se pastruesja ka bërë rrëmujë në zyrën time dhe ka ujitur lulen artifciale që unë kam në zyrë, duke derdhur ujin mbi tapet.
Kjo situatë mund të më vërë në pozitë të vështirë tek pasardhësi im, pasi ai do mendojë që jam injorante dhe ujis lulen artificiale.
Nga të dhënat që më dërgojnë nga Ministria këto dy ditë që kam munguar, kam konstatuar se shumë njerëz më kanë sharë në korridore dhe më kanë ofenduar.
E ndiej detyrë të kthehem sërisht dhe të përballem me këta njerëz.
Në fund dua të them se kam dhe një arsye personale që më bën të kthehem në zyrë, pasi Luli nuk është fare në Tiranë dhe kur nuk është ai, ne nuk shkojmë dot as nga SHQUP, se na rrahin ata demokratët që janë në oborr.
Së paku, derisa të kthehet ai, ne nuk kemi pse ikim.
Dorëheqja ishte një akt i nxituar, pasi na kapi paniku mos vazhdonte ai skandali i hotelit me pesë yje në Gjakovë, por këtu tre ditë vazhdon një skandal.
Ja tani më duket sikur nuk ka ndodhur gjë dhe mendoj se duhet të kthehemi”.