Ministrja Karabushi i dorëzon raportin e zgjedhjeve Jeminit

18 Gusht 2017, 19:47Antena TEMA

Ministrja Karabushi ka shkuar sot në selinë e SHQUP, për t’i dorëzuar raportin e zgjedhjeve të 25 qershorit, Jeminit, i cili është arbitër i zgjedhjeve të 22 korrikut.

Jemini e priti në zyrën që ka sekretari për zgjedhjet në katin e tretë të SHQUP.

Sa hyri brenda, ministrja Karabushi i hodhi një sy mobiljeve, dhe e vetmja gjë që i pëlqeu, ishte tavolina.

-Zyrën se paske gjë, i tha, përveç tavolinës. Atë e paske me pesë yje.

-Në fakt, vetëm ajo më duhet, tha Jemini, se të tjerat janë orendi të padobishme.

-E kuptoj, tha Karabushi. Duket që ke shije për tavolina.

Pastaj nxorri dosjen dhe i vuri para raportin.

Jemini e falenderoi dhe filloi ta shfletojë.

-Kapitulli i parë qenka për përgatitjet për zgjedhje, tha.

Shumë mirë  e paske bërë. Si ka qenë puna me listat, a i publikuan në kohë?

-Po në kohë i kanë publikuar, por i kanë vendosur poshtë xhamave në dritare, që të rrezatojë dielli dhe njerëzit mos ta shikonin mirë emrin.

-Maskarenj, tha Jemini. Ata duhet të marrin modelin e PD-së, si i bëri publike listat.

Pastaj vazhdoi më tej tek fushata.

-Cili është përfundimi për fushatën, tha Jemini? A ka qenë e barabartë fushata?

-Jo, në asnjë mënyrë, tha Karabushi. Rama ka bërë 185 herë gallatë në fushatë, Luli 2 herë. Është krejt e pabarabartë.

Dhe të gjitha TV-të kanë transmetuar gjithë gallatat e Ramës. Kjo tregon mbështetje fallco për kandidatin.

-Maskarenj, tha Jemini. Dhe të mendosh që Luli rivalin e vet e merrte me makinë gjithandej dhe e linte të fliste të parin.

Po më tej si vazhdon? Ditën e votimit, a është votuar në rregull?

-Në pamje të parë ashtu duket, tha Karabushi, por nuk është në rregull. Votojnë 3 të PS, një i PD. Kjo është dëshpëruese.

E kanë bërë kastile, që të dëshpërohet PD e të mos shkojë në zgjedhje.

Po ti shikosh videot me kujdes, e kupton që ka vetëm socialistë në votime.

-T’u vijë turp, tha Jemini. Ne kemi votime shembullore.

Në Korçë për shembull, i bie që në çdo dhjetë sekonda ka votuar një demokrat dhe nuk ka asnjë incident. Maskarenjtë!

Po më tej pas zgjedhjeve çfarë ka? Si është bërë numërimi?

-Numërimi duket sikur është bërë në rregull, por ka probleme serioze.

Në Elbasan sa herë thotë numëruesi PD, është një karagjoz aty, që janë… i…uuu sikur është i pakënaqur dhe ata e shënojnë PDIU, d.m.th për partinë çame.

-Epo ky është problem, që Qifi ka marrë sa PD në Elbasan, tha Jemini. Dhe të mendosh që në procesin tonë të numërimit nuk kemi bërë zë fare. Jemi marrë vesh në heshtje me njëri- tjetrin.

-Ç’të të them, tha ministrja Karabushi, dhe i mbetën sytë mbi tavolinë.

-Keni bërë një punë shumë të mirë, tha Jemini.

Tani duhet të luftojmë që standartet e zgjedhjeve në PD, t’i imponojmë për gjithë Shqipërinë. Nga kjo tavolinë do nisë ndryshimi, tha, kur pa që ministrja Karabushi nuk ja ndante sytë tavolinës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje