Një debat i forte politik ka shpërthyer mes aleatëve të Lulit dhe zëdhënësit të Lulit, lidhur me arsyet përse humbi kaq thellë opozita.
Në këtë debat, është përfshirë dhe zonja Tefta, që demonstron gatimin çdo mëngjes në një TV.
Në një letër për Kunatin, ajo shkruan:
“I nderuar Kunat!
Meqë Lulin nuk e gjen dot njeri në këto ditë vape, po të shkruaj ty, e shqetësuar se një nga këshilltarët e Lulit, ka keqpërodrur emrin tim në debatet tuaja politike.
Përdorimi i emrit tim është i pavend për shumë arsye.
Arsyeja e pare, është vet konteksti ku e kishte përdorur.
D.m.th këshilltari juaj krahasonte Mediun, Shehin e Ndokën me mua, pasi sipas tij, ata i japin këshilla Lulit.
Unë zotëri nuk jap këshilla, unë jap receta të sakta dhe kush i zbaton ato, nuk gabon kurrë.
Pra, ka një ndryshim të madh nga ajo çfarë unë u ofroj njerëzve dhe ajo çfarë u ofroni ju.
Ju u ofroni gjëra që nuk ndodhin kurrë, kurse unë ofroj gjëra që gatuhen brenda orës maksimumi, dhe dalin ashtu siç them unë.
Ndaj qysh në këtë pike, krahasimi me mua çalon shumë.
Së dyti, njerëzit më presin mua çdo them çdo mëngjes, se duan të gatuajnë për drekë, kurse ju nuk u pret asnjë njeri çdo thoni, edhe pse dilni në TV e flisni përditë.
Në këtë pikë, ju dilni në TV më shumë se mua, por për hallet tuaja.
Së fundmi, dua të them se emisioni im është emisioni me më pak gënjeshtra në televizionet shqiptare, pasi ai thjeshtë tregon si bëhet një gjë.
Gjithë televizionet e tjera, përfshi dhe ju si parti, thoni se si mund të bëhet Shqipëria, por as dini, as doni ta bëni ashtu siç thoni.
Ndaj dhe këtu krahasimi çalon.
Në cilësinë e njeriut të afërt të Lulit, ju ftoj ta tërhiqni atë deklaratë që keni bërë, dhe t’u kërkoni falje ndjekësve të mij, pasi unë nuk kam zhgënjyer asnjë nga ata që më ka besuar, kurse ju i keni zhgënjyer të gjithë.
Me respekt
Zonja Tefta!”