Zbulohet axhenda e qeverisë për "Vitin e Skënderbeut"

30 Gusht 2017, 19:23Antena TEMA

Pas mbledhjes së parë të qeverisë në Qafën e Llogarasë, Kryeministri bëri publik lajmin se viti që vjen është viti i Skënderbeut.

“Siç e dini, vitin tjetër, heroi ynë legjendar mbush 550 vjet, që është ndarë nga kjo jetë dhe me këtë rast dua t’iu them se ne do ta shpallim atë “Vitin e Skënderbeut”. Kjo nuk është në traditën e kalendarit kinez që i vë çdo viti një emër kafshe por fillimi i një tradite të re, që një viti i vihet emër kalorësi.

Tani keni 24 orë kohë, dhe dua nga të gjithë një ide se si do ta festojmë “Vitin e Skënderbeut”.

Koha filloi,- tha kryeministri dhe dha komandën: shpërndahu.

Të nesërmen në mëngjes i mblodhi të gjithë ministrat dhe i ftoi të raportonin.

E para foli zëvendëskryeministrja.

Unë kam një ide,- tha ajo. Mbështetur në idenë tuaj për t’i vënë çdo viti një emër, meqë sivjet e quajmë “Vitin e Skënderbeut”, vitin tjetër të Ismail Qemalit se ai ka vdekur më 1919, pastaj me radhë. Deshta t’u njoftoj se kam zbuluar dhe amanetin e Skënderbeut, që është shkruar në gjuhë të pastër letrare, shumë i mirë. Flet dhe për rilindjen urbane.

-Unë jam ministre e Drejtësisë. Propozoj që 12 muajt t’i quajmë me nga një emër princi të Skënderbeut,- tha ajo. Si ministre e fushës propozoj që muajin Janar të quajmë “Muajin e Lek Dukagjinit”, meqë është autor i Kanunit që ka qenë Kushtetuta e Skënderbeut.

-Në vazhdim të këtij propozimi unë propozoj që Muajin Maj, të quajmë “Hamza Kastrioti”, se na ka tradhëtuar LSI, tha Ministrja e Arsimit.

-Kam dhe unë propozimet e mija në këtë vit,- tha Majko. Muajin Qershor mund ta quajmë “Vrana Konti” se kemi fituar betejën. Muajin Korrik mund ta quajmë “Muzaka”, se është muaji që jeni martuar ju zoti kryeministër.

-Unë mendoj që t’i kthejmë familjes së Skënderbeut pronat,- tha ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, qe vjen nga agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.-Kam qenë tek pronat. Kështu mbyllet dhe sherri me Nerënxllarin në Himarë, pasi ja kthejmë kalanë djalit Skënderbeut. Sa më shumë prona t’i japim familjes Skënderbeut, aq më shumë prona shtetëzojmë tani, se nuk ka më pasardhës. Kështu qeveria bëhet pronare e madhe tokash.

-Unë them të bëjmë një libër për Skënderbeun si qeveri, pasi gjithë bota ka bërë libra për të ne nuk kemi asnjë biografi zyrtare,- tha Ministrja e Kulturës.

Propozoj që librin ta shkruajë Fate Von Kanina (Velaj), pasi ai është i vetmi princ që kemi në Parlament.

-Unë propozoj të vëmë një taksë speciale, “Skënderbeu” për këtë vit,- tha Ministri i Financave. Me këtë taksë, të përballojmë tortën e festës së Skënderbeut.

-Unë propozoj që dhe më 2018 të bëhet me VKM që kampionatin duhet të fitojë “Skënderbeu” i Korçës tha Niko Peleshi, meqë është vit i Skënderbeut. Ndryshe do të duket sikur Skënderbeu mundet nga të tjerë.

-Unë jam ministrja e Shëndetësisë. Unë mendoj se duhet të publikojmë kartelën shëndetësore nga se ka vdekur Skënderbeu. Vdekja në shtrat dhe lëngimi i gjatë nuk janë shenja të mira.

Unë jam ministrja e Mbrojtjes. Unë them që strategjinë e luftës së Krujës, ku Vrana Konti rri në Kështjellë dhe Skënderbeu rri maleve në rast lufte ta aplikojmë si strategji të mbrojtjes kombëtare. Në rast lufte, mendoj që Fatmir Xhafaj të rrijë këtu, kurse ju të jeni në malet rrotull.

-Unë jam Ministri i Mjedisit,- tha Klosi. Propozoj që të çelet një tender për të rimbjellë pyjet ku ka luftuar Skënderbeu me pemë që rrojnë së paku 500 vjet të tjera. Kjo do të ishte një homazh i mirë për të.

Unë mendoj që ambasadorin tonë në Vatikan, ta quajmë “Ministër i Skënderbeut” në respekt të marrëdhënieve që Skënderbeu kishte me Papën.

-S’ka problem,- tha Rama, se motra e Sandrit kështu prezantohet edhe tani.

Në fund foli Gjiknuri. Unë propozoj që ministria ime të quhet “Ministria e Skënderbeut” se vetëm ai mund të drejtonte njëkohësisht katër minisri,- tha Gjiknuri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje